Teksa negociatat mes SHBA-së dhe Rusisë po hedhin hapat e tyre të parë në Riad , në samitin urgjent të Parisit, thirrur nga presidenti i Francës Emanuel Macron, liderët kryesorë evropianë kanë kërkuar bashkëpunim me SHBA për realizimin e marrëveshjes së paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Pas përfundimit të samitit, në një deklaratë para gazetarëve, kancelari gjerman Olaf Scholz, ka theksuar se mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë, duke shtuar se Ukrainës nuk mund t’i imponohet asnjë diktat, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Ai thotë se nëse shtetet evropiane shpenzojnë më shumë se 2% të PBB-së për mbrojtjen, Gjermania konsideron se kjo nuk duhet të jetë pjesë e kufijve të buxhetit të BE-së.
“Me fjalë tjera, NATO-ja funksionon mbi faktin se ne veprojmë gjithmonë së bashku dhe ndajmë rrezikun, dhe kështu edhe garantojmë siguri. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka thënë mes tjerash Scholz.


