Operacioni “Forca e Ligjit” ka sekuestruar fuoristradën e blinduar tip Jeep të Dashamir Gjokës. Automjeti i blinduar ndodhet tashmë në drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në zbatim të aktit normativ Anti-KÇK ky vendim sekuestroje është marrë si masë emergjente me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas kërkesës së OFL-së.
Më herët, më 5 shkurt, Operacioni “Forca e Ligjit”, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, i kishte dërguar kërkesën me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, Dashamir Gjokës. Për sekuestrimin e ambienteve të tij tregtare, dhe bizneseve që ai zotëron do të duhet vendimi i Gjykatës, pas verifikimeve të dosjes që OFL dorëzon në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.
Biznesmeni i njohur, i ka shpëtuar ligjit anti-mafia dhe mundi të rimarrë pas pasuritë e konfiskuara nga Gjykata për Krime të Rënda në vitin 2017.


