Dy prej punëtorëve në vilën e familjes Kusi ku u vra tre ditë më parë 26 vjeçarit Indrit Çelaj kanë zbardhur detaje se si një vrimë për shkarkimin e tubit të kondicionerit përfundoi në vrasje.
Sipas News 24, i cili ka zbardhur dëshmitë e punëtorëve të vilës, ngjarja ka ndodhur në një nga tualetet e katit të parë të ndërtesës, e cila po ndërtohet në zonën e “Myslim Shyrit” në Tiranë.
Sipas punëtorëve, në në vilë erdhi Griseldo Kusi, djali i pronarit, për të kontrolluar punimet.
“Kur na përshëndeti, dëgjoi një zhurmë. Eldo lëvizi dhe u bë nervoz. Shkoi të dëgjonte zhurmë dhe filloi të bërtiste me Indritin. Dëgjuam ti thoshte po këtu çfarë po bëhet. Përse po e hap atë vrimë. Ku do e çosh shkarkimin e kondicionerit. Në përgjigje, Çelaj ka thënë se nuk e di unë ku do jetë shkarkimi”, mësohet të kenë thënë punëtorët në dëshminë e tyre.
Pas kësaj, Griseldo Kusi ka nxjerrë armën nga brezi dhe qëlluar me një plumb në kokë të riun, duke i shkaktuar rënien në koma dhe më pas vdekjen në spital. Sipas punëtorëve, Eldo u largua me nxitim, ndërsa në dorë mbante një çantë.
Ndërsa dy vëllezërit Kusi, Griseldo dhe Albano janë shpallur në kërkim nga policia, katër persona të tjerë janë arrestuar për ngjarjen, përfshirë edhe babain e tyre, Bujar Kusin.
Gjykata vendosi për të dhe dy të tjerë masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa një i katër u la në arrest shtëpie.
Dëshmitë e dy punëtorëve:
Punëtori i parë
“Në katin e parë të vilës, hyri Griseldo Kusi, të cilin shkurt e thërrasin Eldo. Mesa di unë ai është djali i pronarit të objektit, Bujar Kusi. Eldo vinte disa herë në ditë dhe kontrollonte punimet.
Ai erdhi i vetëm dhe në momentin që na përshëndeti, dëgjoi një zhurmë trapani, me të cilin po punonte njëri nga punëtorët e kondicionerëve, në një nga tualetet e katit të pare i cili ishte rreth dy apo tre metër larg vendit ku unë me shokët e mi po punoja. Eldo lëvizi i nervozuar dhe shkoi drejt vendit ku dëgjohej zhurma dhe tha: Po këtu ç’bëhet”.
Ai filloi t’i bërtiste punëtorit me zë të lartë: Çfarë po bën, përse e hap atë vrimë aty dhe ku do e çosh shkarkimin e kondicionerëve. Punëtori i tha: Nuk di unë, se ku do jetë shkarkimi. Griseldo më pas i tha, kur se di ti, nga do ta di unë. Në ketë moment, ai nxori armën nga brezi, tip pistoletë, dhe ja mbështeti në kokë punëtorit të kondicionerëve dhe e qëlloi. Griseldo mori gëzhojën dhe u largua.
Punëtori i dytë
“Griseldo hyri brenda tualetit ku po punohej dhe në këtë moment e dëgjova t’i bërtiste punëtorit të kondicionerëve, me zë të lartë me fjalët: Çfarë po bën? Fill më pas u dëgjua një krismë arme. Mbaj mend që Griseldo u largua me nxitim dhe në dorë mbante një çantë me zinxhir me ngjyrë të zezë. Unë i frikësuar u largova për në banesën time”.


