Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbajtur homazhe në memorialin e Azem Hjadarit në përkujtimin e 23 vjetorit të vrasjes së një prej themeluesve të kësaj force politike. Por ndryshe nga çdo herë, kryedemokrati u shfaq sot pa liderin e historik, Sali Berishën, kjo për shkak se ai u përjashtua nga Grupi i PD.
Në mesazhin e tij në këtë ditë të shënuar, Basha thotë se Hajdari është model frymëzimi për tu ndjekur për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit.
“Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besnik Çera. Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa.
Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit. Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë. I paharruar kujtimi i tij”, shkruan Basha.