Fotografi të Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale ndaj të miturve, dhe bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxwell, të publikuara së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, zbulojnë mënyrën se si Andrew Mountbatten-Windsor u kishte siguruar atyre akses në rrethet e elitës së lartë britanike.
Në pamje, Epstein dhe Maxwell shfaqen duke marrë pjesë në një gjueti së bashku me princin e atëhershëm në Balmoral, si edhe pranë tij në lozhën mbretërore në Ascot.
Në një fotografi tjetër, Maxwell shihet jashtë ndërtesës me numër 10 në Downing Street, ku ndodhet zyra e kryeministrit britanik.

Veçanërisht tronditëse është një imazh ku Andrew Mountbatten-Windsor shfaqet i shtrirë pranë këmbëve të pesë personave, fytyrat e të cilëve janë mbuluar, me kokën e tij afër prehrit të një gruaje, ndërsa Maxwell duket duke e vështruar dhe duke buzëqeshur.
Sky News raportoi se kjo fotografi është realizuar në Sandringham, rezidenca private e Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II në Norfolk, ku Mbreti aktual Charles III dhe anëtarë të familjes mbretërore kalojnë tradicionalisht Krishtlindjet.

Në një tjetër fotografi, që besohet se është realizuar në vitin 2002, Maxwell shfaqet duke pozuar në “Dhomat e Luftës” të Winston Churchill-it, hapësira nëntokësore ku mblidhej kabineti britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shoqërinë e saj ndodhen edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe aktori Kevin Spacey.
Fotografitë janë pjesë e “paketës” së fundit, shumë të pritur, të dokumenteve që lidhen me çështjen Epstein dhe u publikuan mbrëmjen e së premtes në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Një ligj i miratuar nga Kongresi në nëntor detyronte qeverinë amerikane të publikonte deri më 19 dhjetor të gjitha dokumentet jo të klasifikuara që kishte në zotërim për këtë çështje. Megjithatë, sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, Todd Blanche, procesi do të zgjasë përfundimisht disa javë.
Qeveria Trump është përballur me kritika të shumta gjatë 24 orëve të fundit për “mungesë transparence”, pasi pjesë të mëdha të dokumenteve janë mbuluar me të zezë.
Mes tyre është edhe një listë me 254 “masazhistë”, emrat e të cilëve janë fshehur “për mbrojtjen e viktimës”, si dhe 119 faqe të një dokumenti gjyqësor nga një gjykatë e Nju Jorkut. Disa pjesë janë mbuluar pa asnjë sqarim, duke ngritur edhe më shumë pikëpyetje.

Fotografitë e publikuara, ku përfshihen edhe imazhe të ish-bashkëshortes së Mountbatten-Windsor, Sarah Ferguson, tregojnë, sipas The Guardian, mënyrën se si ai i hapi dyert e elitës britanike Epstein-it dhe Maxwell-it.
Edhe pse shumë prej fotografive nuk kanë datë, besohet se financieri dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë ishin ftuar nga Andrew në eventin Ladies’ Day të Garave Mbretërore të Ascot-it më 22 qershor 2000.
Megjithëse në atë aktivitet ishin të pranishme edhe Mbretëresha Elizabeth dhe Mbretëresha Nënë, ai kishte deklaruar më herët se Epstein dhe Maxwell ishin “mysafirë të tij personalë”.
Kujtojmë se Jeffrey Epstein i dha fund jetës së tij në një burg federal në Manhattan të Nju Jorkut, ndërsa priste të dilte në gjyq për trafikim njerëzor me qëllim shfrytëzimin seksual. Më herët, në vitin 2008, ai ishte shpallur fajtor për krime seksuale ndaj të miturve. Ghislaine Maxwell u dënua në vitin 2021 për trafikim të miturish për shfrytëzim seksual dhe u dënua me 20 vite burg.

Marrëdhënia e Andrew Mountbatten-Windsor me Epstein çoi përfundimisht në largimin e tij nga jeta publike mbretërore. Në vitin 2019, ai hoqi dorë nga detyrat zyrtare pas një interviste tepër negative në emisionin Newsnight, gjatë së cilës deklaroi se nuk pendohej për lidhjen e tij me financierin, pavarësisht aktivitetit të tij kriminal të njohur.
Tre vite më vonë, ai pagoi një dëmshpërblim prej miliona dollarësh ndaj Virginia Giuffre, e cila kishte pretenduar se ishte sulmuar seksualisht nga ai, kur si adoleshente kishte rënë viktimë e trafikimit nga Epstein. Andrew pranoi një marrëveshje jashtëgjyqësore, ndonëse këmbëngulte se nuk e kishte takuar kurrë.
Publikimi pas vdekjes i kujtimeve të Giuffre, e cila u vetëvra në prill, si edhe nxjerrja në dritë e dokumenteve mbi pasurinë e Epstein nga qeveria amerikane, e kanë rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhënien e ish-princit me financierin. Tetorin e kaluar, vëllai i tij, mbreti, ia hoqi titujt mbretërorë.


