Nëse do mbahet mend për shumëçka, viti politik 2019 nuk duhet të harrohet edhe për diçka tjetër. Për instalimin përfundimtar dhe fitimin e qytetarisë në komunikimin e përditshëm, formal dhe informal e deri në komunikimin publik e mediatik, të thënies se për çdo gjë e për gjithçka në Shqipëri “gjithë fajin e ka Edi Rama”.
Edhe kur është, edhe kur nuk është përgjegjësi e qeverisë dhe e mazhorancës ata dinë tashmë ku ta kërkojnë zgjidhjen dhe ulërasin: “Fajin e ka Edi Rama”. Edhe për gjërat që janë, edhe për ato që nuk janë përgjegjësi të Kryeministrit dhe kryetarit të PS, ata e kanë gjetur zgjidhjen. Mjafton të thonë se “fajin e ka Edi Rama”.
Edhe kur është një çështje private, edhe kur është një çështje lokale, edhe kur është një çështje e natyrës, edhe kur është çështje e individit apo e Zotit, e një subjekti apo e një institucioni, e atyre vetë apo e gjithë të tjerëve, përgjegjësia është vetëm e një njeriu dhe vetëm e atij. Sepse zgjidhja tashmë është gjetur: “Gjithë fajin e ka Edi Rama”.
Në këtë kurth që i bën nder Edi Ramës,- për aq kohë sa nuk ndahet dhe identifikohet përgjegjësia e tij reale nga gjitha të tjerat,- kanë rënë jo vetëm përfaqësuesit e opozitës zyrtare, por edhe të gjithë ato zëra që e kanë shndërruar në sportin e tyre të preferuar, këtë qasje. Mund ti dallosh fare kollaj. Janë të gjithë ata që dje mërziteshin kur u thoje “fajin e ka Saliu” dhe që sot ekzaltohen kur ulërasin “gjithë fajin e ka Edi”.
Mos shkojmë shumë larg. A e mbani mend se çfarë u tha menjëherë pas rënies së tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit? Edhe për këtë fenomen shkencërisht të paparashikueshëm natyror, fajin e kishte Edi Rama. Edhe për pasojat katastrofale që ajo solli, gjithë fajin e kishte Edi Rama.
A e dëgjuat PD-në sot? Megjithëse nuk është mbushur ende një muaj nga tërmeti, gjithë fajin e ka Edi Rama që nuk janë rindërtuar me çelësa në dorë, të gjitha shtëpitë dhe pallatet e shembura e të dëmtuara.
Edhe kur përfaqësuesit e PD dënohen nga gjykatat për mashtrimet me “babale” për përfitime politike në kurriz të tij, sërisht fajin e ka Edi Rama.
Edhe për mungesën e Kosovës në Samitin e tretë në kuadër të Minishengenit Ballkanik të mbajtur në Tiranë, e ka sigurisht veç ai, e kush tjetër: Edi Rama. Edhe kur ftesa u shkon por Presidenti i Kosovës nuk do që të mari pjesë, gjithë fajin për këtë e ka vetëm Edi Rama. Edhe pasi Hashim Thaçi ishte gati që të ndryshonte kufijtë e Kosovës me Aleksandër Vuçiç, por nuk vjen për tu ulur në tryezë me liderët e Ballkanit Perendimor në Tiranë, gjithë fajin e ka Edi Rama.
Duke e shndërruar qëllim në vetëvete luftën politike me të, e gjithë merita është e Edi Ramës që ia ka dalë tashmë ti bëjë të gjithë bashkë, sepse kështu e ka më kollaj që ti mundë siç ka bërë rregullisht përgjatë gjithë betejave të tij politike dhe elektorale. E sigurtë pas kësaj është, se edhe për këtë, gjithë fajin do ta ketë sërisht Edi Rama.
Alpenews.al


