Mënyra se si po vepron diplomacia shqiptare në trajtimin e problemeve me Greqinë ka marrë kritika nga Pëllumb Xhufi, historiani që ndër vite ka ndjekur dinamikën e zhvillimeve mes dy vendeve.
Në një intervistë për Report TV, Pëllumb Xhufi thotë që Shqipëria nuk duhet të ekzaltohet me deklarimin e Kotzias për heqjen e ligjit të luftës.
“Gjykoj që jo vetëm ligji duhet të hiqet si i tillë, por edhe efektet e ligjit.
Në gjykimin tim është kthimi i pronave të ngurtësuara të qytetarëve shqiptarë, që me shpalljen e ligjit të luftës në vitin 1940, u bllokuan nga qeveria e atëhershme greke. Ato mbahen sot e kësaj dite të bllokuara.
Efekti tjetër do të ishte njohja de jure e kufirit të Shqipërisë dhe Greqisë e vendosur në vitin 1913, e cila është e konfirmuar me vendimin e ambasadorëve në vitin 1926,” shpjegoi historiani Pëllumb Xhufi.
Historiani Xhufi ndalet edhe tek çështja çame.
“Çështja çame e ka edhe ajo brenda problemin e pronave, por ai është vetëm një element i çështjes çame.
Ka një sërë problemesh të tjera.
Me heqjen e ligjit të luftës duhet të bëhet edhe kthimi i pronave, siç bëhet në marrëdhëniet e qytetarëve me shtetin,” tha Xhufi.
Vendimin e qeverisë shqiptare për lejimin e të tjera varrezave greke në territorin e Shqipërisë, Pëllumb Xhufi e shikon si një veprim që mbështet tezat e Voiro Epirit.
“Ushtarët grek të rënë gjatë luftës italo-greke në vitin 40-41 meritojnë një monument dhe jo të zihen sipërfaqe të tëra.
Toka është një vend i shtrenjtë, çdo gjë ka masë.
Janë ngritur tre varreza, por duhet parë më me kujdes,” deklaroj Xhufi.
Pëllumb Xhufi është i mendimit se Bushatit dhe Kotzias do t’iu duhet më shumë kohë për të zgjidhur çështjen e kufirit detar.
“Çështja e kufirit detar duhet negociuar me kujdes, jo për një ditë” tha Xhufi.


