Dhjetëra protestues u mblodhën sot në Gjakovë për të kundërshtuar vizitën e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të këtij qyteti.
Protestuesit thanë se vizita e tyre është e papranueshme duke pasur parasysh se Beogradi nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë duke përfshirë Gjakovën, që ishte një nga komunat më të prekura.
Nesrete Kumnova nga organizata “Thirrjet e nënave” gjendja shëndetësore e së cilës u përkeqësua gjatë protestës tha se nuk do të lejohet hyrja e pelegrinëve në qytetin ku janë kryer krime të mëdha nga forcat serbe.
“Që 20 vjet nuk di për fatin e Albjonit, djalit të vetëm. Në shtëpi kanë hyrë e kanë marrë. Për ata kufiri është përgjithmonë i mbyllur në qytetin e Gjakovës. Ata duhet të qëndrojnë në burg përjetësisht, jo të vijë policia t’i mbrojë”, tha Kumnova.
Protestuesit qëndruan për disa orë para kishës dhe u përplasën me policinë, e cila arrestoi 5 prej tyre. Protestuesit e quajte provokim të Serbisë.
Pas protestave në Gjakovë reagoi edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
“Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndiej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurve të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lotë dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij”, shkruante Thaçi.


