Pa u mbushur 24 orë nga publikimi i mega kontratës 6 milionë dollarëshe të PD me qëllim lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet. Burime për Report Tv nga SPAK bëjnë zyrtarisht me dije se kanë nisur kryesisht verifikimet për kontratën e kamur të Berishës, me firmë të Flamur Nokës, kontratë që ka nxitur shumë reagime për pikat e errëta dhe dyshimet që lë pas.
Tashmë përmes hetimit do t’i takojë SPAK të tregojë burimin e financimit marramendës, për një kontratë që është më e shtrenjta në historinë e lobimeve në politikën shqiptare.
Report TV publikoi një ditë më parën kontratën me shifrën marramendëse që PD do t’i paguajë kompanisë amerikane Continental Strategy, ku një prej drejtuesve është edhe vajza e shefes së fushatës së Trump, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita, i cili është shefi i fushatës elektorale te Sali Berishës.
Sipas kontratës thuhet se në total për dy vite Berisha duhet t’i paguajë kompanisë 6 milionë dollar, 250 mijë dollarë në muaj. Zbulohet se PD ka parapaguar kompaninë amerikane me 750 mijë dollarë. Garantori i kontratës së majme është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, njëkohësisht anëtar kryesie i shoqatës Vatra në New Jersey.
Kontratën e ka firmosur sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të ‘Continental Strategy’.
Zgjedhja e një kompanie që zotërohet nga njerëz të rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-ve Donald Trump duket se nuk është e rastësishme. Përmes kësaj kontrate, Partia Demokratike me sa duket kërkon më shumë akses në majën e Shtëpisë së Bardhë, por edhe zgjidhjen e disa problemeve nga e shkuara.
Jo rastësisht, shërbimi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish sekretari Blinken.
Partia Demokratike e ka pranuar kontratën e lobimit me kompaninë amerikane ‘Continental’, dhe vlerën e saj, por thotë se “paratë do paguhen nga komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”.


