Presidenti i shkarkuar katalan Karles Puigdemont dhe 13 anëtarë të qeverisë së tij janë thirrur për t’u paraqitur në një gjykatë në Madrid gjatë kësaj jave. Kjo lëvizje i përgjigjet akuzave për rebelim të ngritura nga kryeprokurori spanjoll ndaj zyrtarëve rajonalë që mbështetën pavarësinë e Katalunjës në referendumin e organizuar më 1 tetor.
Gjykata e Lartë e Spanjës ka thirrur liderin e shkarkuar katalan Carles Puigdemont dhe 13 anëtarë të qeverisë së tij që të paraqiten në një seancë gjatë javës. Gjykata gjithashtu i dha zyrtarëve tre ditë për të paguar një depozitë prej 6,2 milionë eurosh për të mbuluar detyrime të mundshme. Thirrja e Gjykatës vjen pasi kryeprokurori i Spanjës deklaroi të hënën se ai do të ngrinte akuza ndaj udhëheqësve katalanas, përfshi këtu edhe akuzat për rebelim.
Zoti Puigdemont ndodhet aktualisht në Belgjikë, së bashku me disa ish-ministra rajonalë, por ish-presidenti i Katalunjës deklaroi se ai nuk do të kërkonte azil politik atje.
Puigdemont nxiti një krizë në Spanjë pas organizimit të një referendumi për pavarësi në fillim të tetorit, pavarësisht kundërshtisë nga Madridi dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli votimin ilegal. Qeveria qendrore e Spanjës tashmë ka marrë kontroll direkt të Katalunjës, ndërkohë që rajoni do t’i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme më 21 dhjetor.
/AlpeNews.al/