Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk do t’i humbasë disa privilegje shtetërore pavarësisht largimit nga drejtësia, ‘arratisjes’ për t’i shpëtuar një arrestimi të mundshëm, hetimit për pastrim parash dhe konfiskimit të pasurisë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Garda e Republikës, përmes një vendimi të posaçëm qeverie, është ngarkuar për të marrë nën ruajtje ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla deri në dhjetor të vitit 2019, dy vjet pas mbarimit të mandatit. Në shtator të vitit 2007, Këshilli i Ministrave vendosi të përfshijë Prokurorin e Përgjithshëm në listën e personaliteteve të larta shtetërore që duhet të ruhen dhe mbrohen pas lirimit nga detyra, ndonëse në rastin konkret, Garda e Republikës e ka të vështirë të zbatojë vendimin, pasi ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nuk dihet vendndodhja, për shkak të një llogarie të hapur me drejtësinë.
Vendim nr. 592, datë 5.9.2007 mban firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili përpos kryeprokurorit, parashikon edhe ruajtjen e ministrit të Brendshëm pas lirimit nga detyra.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr. 8869, datë 22.5.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Garda e Republikës së Shqipërisë do të ruajë dhe mbrojë pas lirimit nga funksioni, edhe këto personalitete të larta shtetërore: Prokurorin e Përgjithshëm; Ministrin e Brendshëm”, thuhet në vendimin e vitit 2007. Ndërkaq, në maj të vitit 2017, Këshilli i Ministrave ka vendosur që afati i ruajtjes së kryeprokurorit dhe ministrit të Brendshëm pas mbarimit të mandatit është dy vjet. Vendimi mban firmën e ish-zëvendëskryeministrit, Niko Peleshi. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr. 8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Pika 2 e vendimit nr. 592, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë:
“2. Personalitetet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, ruhen dhe mbrohen me oficer e nënoficer shoqërues edhe 2 (dy) vjet pas lirimit nga funksioni.””, thuhet në vendim.
PERSONALITETET E TJERA QË RUHEN
Ligji për Gardën e Republikës parashikon që presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri ruhen dhe mbrohen edhe 3 vjet pas lirimit të tyre nga funksioni.
Ndërkaq, gjatë ushtrimit të detyrë Garda e Republikës ruan dhe mbron presidentin, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, si dhe familjet e tyre.
Garda ruan dhe mbron personalitetet e huaja, të të njëjtit nivel me personalitetet shqiptare, që vijnë në vendin tonë, si dhe personalitete të tjera të huaja, për të cilët ministri i Brendshëm e vlerëson të nevojshme ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Gjithashtu, garda mbron personalitetet shtetërore vendase, të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Garda ruan edhe rezidencat presidenciale, selinë dhe zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, selinë e Këshillit të Ministrave dhe mjediset ku vendosen personalitetet e huaja.
Gjithashtu ruan edhe banesat e personaliteteve të larta shtetërore dhe seli të tjera shtetërore.


