Konsumatorët shqiptarë duhet të përgatiten për një rritje të çmimit të vezëve, si pasojë e përhapjes së gripit të shpendëve H5N1. Në SHBA, i njëjti virus ka shkaktuar një rritje drastike të çmimit, ku një vezë që tetorin e kaluar kushtonte 18 cent, sot kushton 1 dollar, një rritje prej 500%.
Eksperti i ekonomisë bujqësore, Fatmir Guri, shprehet se rritja e çmimeve do të varet nga numri i fermave të prekura. “Sigurisht që do të ketë element të rritjes së çmimit të vezëve, por gjithçka varet nga sa shumë stabilimente do të preken”, tha ai.
Gripi i shpendëve H5N1 është tepër agresiv dhe mund të shfarosë të gjitha shpendët e një ferme brenda pak ditësh. Nëse një fermë infektohet, e gjithë popullsia e shpendëve duhet të asgjësohet, duke çuar në mungesë të menjëhershme të mishit dhe vezëve. Ekspertët këshillojnë respektimin e rreptë të masave të biosigurisë, përndryshe rikthimi në normalitet mund të zgjasë deri në 6 muaj.
Për të shmangur rrezikun e infektimit te njerëzit, rekomandohet që mishi dhe veza të përgatiten në temperaturë mbi 70°C, duke zvogëluar kështu rrezikun e transmetimit të virusit.


