Humoristi Julian Deda, pasi sfidoi kryeministrin Rama, duke thënë se do të thyente i pari karantinën, duke frymëzuar kështu shkodranët për të dalë nga shtëpia (pasojat pastaj ishin të tmerrshme), këtë radhë është kapur me “Portokallinë”, emisionin humoristik që e bëri të famshëm.
“’Klanifornia,’ i vetmi spektakël humori që i mbijetoi pandemisë,” shkruajti ai nën një foto nga xhirimet.
Ky postim kryelartë u has me kritika nga ndjekësit e humoristit.
“Jul, me gjithë respektin që kam, pse shumica juaj merret dhe ironizon ‘Portokallinë?’ ata që e bëjnë atë spektakël mbase kanë menduar se nuk është e njëjta cilësi humori në këto kushte dhe kanë gjykuar për pak pushim. Pse gjithë kjo urrejtje ndaj një formati që ju promovoi ju dhe shumë të tjerë,” shkruan një komentues.
Këtij komenti, Juli iu përgjigj: “Ku e sheh urrejtjen. Unë thashë që ‘Klanifornia’ është i vetmi spektakël humori për momentin. Po gënjej unë?”
“Ju kuptoj shumë mirë me këtë që doni të thoni dhe që jeni humorist i mirë, por nga ‘Portokallia’ keni dalë në fillim si humorist se atje keni filluar. Më vjen keq kur lexoj komente të tilla”, shkruan nje tjeter.
Edhe këtij komenti, aktori iu përgjigj me ironi: “Nuk e mohova këtë. Por pyetja është ku është sot? Pikërisht në këto ditë të vështira?”


