Anëtarët e rinj të Parlamentit Shqiptar, të cilët morën për herë të parë mandatin në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, vijojnë të befasojnë me deklaratat e pasurisë. Përpos deputetëve demokratë Agron Shehaj dhe Luan Baçi, një tjetër personazh i pasur i është bashkuar Parlamentit. Ai është deputeti i Partisë Socialiste, për Qarkun e Vlorës, Vullnet Sina, i cili rezulton me aksione nga 50 % deri në 100 % në 27 shoqëri tregtare. Referuar deklaratës së pasurisë së zbardhur nga Shqiptarja.com, deputeti Sina posedon pjesërisht rrjetin e big marketeve në qarqet kryesore të vendit.
Vetëm gjatë një viti kalendarik, ligjvënësi deklaron të ardhura nga 21 biznese në shumat 6 000 000 lekë, 10 690 527 lekë, 3 639 728 lekë, 4 488 359 lekë, 3 997 911 lekë, 3 679 561 lekë, 4 929 840 lekë, 4 013 556 lekë, 4 207 914 lekë, 2 853 324 lekë, 5 447 067 lekë, 3 703 927 lekë etj. Ligjvënësi e justifikon pasurinë me të ardhura nga emigracioni, paga, kursime familjare, të ardhura nga bizneset, hua dhe kontribut nga familja.

Vullnet Sina deklaron edhe disa llogari bankare në bankat e nivelit të dytë në vlerat 35 884 923 lekë, 57 696 euro, 73 799 euro, 52 455 243 lekë etj. Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, deklaron apartament 127 m2, vlera 55 mijë euro, dyqan 36 m2 me vlerë 60 mijë euro, dyqan 46 m2 Tiranë me vlerë 75 mijë euro, apartament 51 m2 me vlerë 54 mijë euro, apartament 39 m2 etj., ku si burim të ardhurash referon kursime, kredi, dhuratë nga babai dhe dhuratë nga kuanti.
Gruaja e deputetit të PD aksione në kompaninë e kromit
Gruas së deputetit të Partisë Demokratike Xhemal Gjunkshi, zonjës Teuta Gjunkshi, rezulton se i kanë dhuruar 5 % të aksioneve në një kompani kromi, konkretisht në Falkon Mineral. Kjo kompani merret me prodhim, eksport-import, tregtim të materialeve të nxjerra dhe të përpunuara, që përdoren në industrinë e minierave etj. Në shtator të këtij viti, zonja në fjalë rezulton se aksionet e dhuruara ia ka shitur një shtetasi. Deputeti i PD deklaron gjithashtu apartament banimi me sipërfaqe 122 m2, në Tiranë, me vlerë 3 500 000 lekë, blerë me kredi si dhe një shtëpi private në Peshkopi, trashëguar nga prindërit, pjesa 12.50 %.
Ndërsa deputeti Luan Duzha, i cili më parë ka qenë pjesë e Partisë Republikane, më vonë i LSI dhe së fundmi i PS, rezulton bashkëpronar i një pike karburanti, të cilën e ka dhënë me qira. Duzha deklaron gjithashtu disa apartamente, garazhe, dyqane, prona etj.
d.c./shqiptarja.com


