Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një mesazh në faqen e saj të ‘Facebook’-ut ka lëshuar një mesazh të qartë kundër maxhorancës. Në një foto ku shihet me një grup të rinjsh të LSI-së bashkë me deputeten e dhunuar dje, Floida Kërpaçi, Kryemadhi pohon se ata do ia dalin, dhe kjo sipas saj falë pasionit për të ardhmen.
“Me të drejtën e Zotit, me pastërtinë e të rinjve, me forcën e karakterit të papërkulshëm dhe me pasionin e shqiptarit ne do ia dalim! Do ia dalim me besim, do ia dalim për të ardhmen, do ia dalim për Shqipërinë!”, citohet në mesazhin e Kryemadhit.
Kujtojmë se dje u zhvillua seanca plenare, gjatë të cilës u shënuan një sërë incidentesh, ndërkohë që jashtë Kuvendit u mbajt protesta e opozitës, gati e përgjakshme. Deputetët opozitarë hodhën brenda në sallë flakadanë dhe tymuese, ndërsa jashtë Kuvendit protestuesit u konfliktuan me policinë, ku fatkeqësisht pati edhe të lënduar lehtë. Ditën e sotme nisi procedimin për 10 deputetë opozitarë, mes të cilëve dhe Monika Kryemadhi.


