Nis sot takimi i rëndësishëm i nivelit të lartë mes Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, për të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga Lufta e Dytë Botërore, mes dy shteteve tona. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, do të mirëpresi homologun Helen Kotzias, sëbashku me delegacionet e tyre respektive.
Takimi i parë u zhvillua më 10 nëntor 2017 në Kretë, ndërkohë që takimi i kthimit në Shqipëri, është zgjedhur të zhvillohet në qytetin e Korçës. Takimet janë quajtur “informale”, megjithëse mund të jenë bisedimet më formale që janë zhvilluar ndodnjëherë mes Tiranës dhe Athinës, për agjendën 70 vjeçare të marrëdhënieve mes dy fqinjëve ballkanikë.
Ambjentet e Hotel Life Galery, Korçë
Takimi do zhvillohet në ambjentet e Hotel “Life Galery” në Korçë, që do të jetë edhe mikpritsja. Zyrtarisht axhenda parashikon që gjithçka të startojë sot në drekë, për të përfunduar dielën e 21 janarit, në drekë.
Pamje e Hotel Life Galery në Korçë ku do zhvillohet takimi Bushati- Kotzias
Në mes të bisedimeve, mësohet se do të zhvillohet edhe një program social-kulturor me pjesmarrjen e orkestrës sinfonike të Korçës për nder të delegacionit grek ashtu siç edhe ata e ofruan në takimin e Kretës për nder të delegacionit shqiptar. Pala shqiptare po ndjek një axhendë sipas parimeve të reciprocitetit. Ajo që nuk dihet vetëm, është nëse në Korçë Kotzias dhe Bushati, do ia marin apo jo sërisht valles sëbashku, siç bënë edhe në ishullin grek.
Në delegacionin shiptar përveç ministrit Bushati marrin pjesë Qirjako Qirko, ish drejtor i rajonit në MPJ, ambasadorja jonë në Greqi, Adriana Obdari, shefja e kabinetit në MPJ, Odeta Barbullushi, Armand Skapi, Drejtor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane (që ka kryesuar grupin e punës së palës shqiptare), Glevin Dervishi, këshilltar i ministrit për Çështjet e rajonit. I njëjti përfaqësim homolog besohet se ruhet edhe nga pala greke.
Takimet në nivel ekspertësh ndoshta kanë vijuar pa ndërprerje jashtë vëmendjes publike e mediatike ndërkohë, për të bërë gati çështjet që do të trajtohen deri në fund të këtij takimi. Nisur nga detajet e bëra publike gjatë takimit të Kretës, temat që do të trajtohen besohet se lidhen me çështjen e ligjit të luftës dhe paketë së luftës, (ku përfshihet edhe çështja çame, pronat, varrezat, pakicat kombëtare), çështjet e përditshmërisë e deri tek çështja e detit që ka një impakt për të ardhmen e marrëdhënieve tona.
Nuk dihet nëse në përfundimi të takimit të Korçës do të dilet përsëri me një deklaratë të përbashkët siç ndodhi edhe në Kretë, për të konsoliduar një praktikë që atje u ndoq për herë të parë në marrëdhëniet e takimeve të tilla mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministri Ditmir Bushati ka deklaruar se “të dyja palët duhet të gjejnë një pikë të përbashkët takimi. E drejta ndërkombëtare, fryma evropiane janë një kompas që e udhëheq këtë proces”.
Ndërmjet takimit të Kretës dhe të kësaj fundjave në Korçë, ka ndodhur edhe një zhvillim, që besohet se do ti ndihmojë pozitivisht frymës së arritjes së pikëtakimeve. Ka patur përparime konkrete në zgjidhjen e çështjes së varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipërri. Ndërsa Presidenti i Republikës Ilir Meta i dha në dhjetor shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Janullatos, akt ky që u përshëndet me entuziazëm nga Athina zyrtare dhe nga ministri i Jashtëm, Kotzias.
Përgatit: Alpenews.al