Pas betimit edhe si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Kryeministri Edi Rama pritet që të prezantohet për herë të parë me stafin e ri të dikasterit që do të drejtojë pas kësaj edhe “de jure”.
Në rolin e shefit të diplomacisë shqiptare, Rama pritet që të mërkurën, (23 janar 2019) ora 10.15 të prezantohet me stafin e ministrisë që nga 2013 është drejtuar nga Ditmir Bushati.
Nuk dihen ende shumë detaje specifike nga ky takim, por e sigurtë është që ajo do të ketë interesin e shtuar të mediave, për këtë takim të pazakontë.
Rama bëhet i pari Kryeministër i postkomunizmit, që do ti mbajë të dyja detyrat, edhe atë të Kryeministrit dhe të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Kjo lëvizje erdhi pas refuzimit të Presidentit Ilir Meta për të dekretuar në këtë detyrë, propozimin e Kryeministrit për Gent Cakën.
Një vendim ky që është cilësuar në shkelje të Kushtetutës. Por në mungesë të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, ku qeveria do ta padisi kreun e shtetit për këtë çështje, Rama preferoi do merte vetë përsipër që ta kryente këtë funksion.
NJOFTIMI I PRESIDENCES:
“Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Sh. T. Z. Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës”, njoftoi zyra e shtypit pranë Presidencës.
Përgatiti: Alpenews.al