Pas dy seancave të shtyra më 3 qershor dhe 17 qershor 2020 për të dalë para vetingut, gjyqtarja e Apelit Tiranë Shpresa Beçaj është paraqitur ditën e sotme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Ish drejtuesja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, sot gjyqtare e Apelit Tiranë, iu shtynë dy seancat e vetingut pasi u sëmur duke dërguar raport mjekësor, ndërsa sot është shfaqur para trupës gjykuese me avokatin e saj. Çështja e zonjës Beçaj do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Suela Zhegu, Roland Ilia dhe Lulzim Hamitaj.
Më 17 shkurt 2020 DSIK ka vënë dijeni KPK se Beçak nuk kishte dorëzuar ende formularin si detyrim të saj.
Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Shpresa Beçaj pritet të vlerësohet nga KPK për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Po kush është Shpresa Beçaj? Emri i saj u përmend në një kontekst komprometues nga Ilir Meta në videoskandalin në zyrën e Dritan Priftit, publikuar në vitin 2011, duke tronditur opinionin publik dhe bërë bujë edhe në arenën ndërkombëtare. Në atë kohë Meta ishte ministër i Jashtëm në qeverinë e Sali Berishës, ndërsa Prifti ministër Ekonomie, i propozuar nga Meta. Duke folur për pazare koncesionesh, emërimesh dhe interesash të ndryshëm, Meta i thotë Priftit se i ka punën mirë me Shpresa Beçajn, pasi i ka emëruar vajzën si diplomate në Austri.
Shpresa Beçaj ishte pjesë një turpe gjykuese në Apel, e cila la në fuqi vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku, për mbylljen e dosjes së Lulzim Bashës për lobimin rus. Dy anëtarët e tjerë ishin Alaudin Malaj dhe Shkëlqim Mustafa. Treshja ‘vulosi’ dosjen e lobimit, duke pushuar akuzën ndaj Lulzim Bashës, lidhur me pretendimet e prokurorisë për falsifikimin e dokumenteve në rastin e mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve që kompania amerikane Muzin Capitol Partners kishte pohuar se kishte marrë për aktivitetet në favor të Partisë Demokratike. Pyetja se ku i ka marrë PD 675 mijë dollarë dhe pse nuk i ka deklaruar në KQZ sipas ligjit, ka mbetur pa përgjigje nga drejtësia.


