Rama foli në asamble për opozitën dhe për akuzat e saj: flitet banda, banda, por kemi të bëjmë me rrugeçër kryesisht dhe pastaj me elementë të rrezikshëm, këta duhet të humbasin autoritetin që kanë në rrugët e qytetit, pa hyrë te krimet që është objekt i punës së policisë, hetimeve dhe provave.
Në një postim në facebook ka reagur deputeti i PD Luçiano Boçi në lidhje me deklaratën e Ramës në asamble.
Postimi i plotë
BANDITI DHE RRUGEÇËRIT
Për ta relativizuar sadopak gjendjen kriminale në vend Rama mohon që ka banda. Ato sipas tij janë vetëm “rrugeçër” të zakonshëm.
Këtu ja futi mikut të tij Lu, që dikur fliste për familje e klane mafioze e banditeske.
Ja futi dhe Xhafës që pohonte ekzistencën e dyzet e ca bandave të evidentuara në terren.
E vërteta lakuriqe në fakt është krejt e kundërt nga kjo që thotë ky lakuriqësi i krimit.
Rama ka ecur me parimin “një Bashki, një bandë”.
Kudo në territor ka ndërtuar e suporton bandat parapolitike kriminale që kanë struktura të mirëorganizuara dhe efikase.
I ushqen drejtpërdrejt me favore financiare e policeske, për t’i hedhur më pas si “qen sulmi”, në fushatat zgjedhore.
Por diku në këtë thënie ka pak të drejtë.
Në fakt preket në sedër kur ne i etiketojmë “banda” e “banditë”, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë të botës së krimit.
Është një lloj atributi që ca nga kompleksi i inferioritetit e ca nga deliri i pushtetit, Rama e do të gjithin për vete.
Pra Banditi është ai vetë.
Të tjerët janë “ushtarët” e tij, ose e thënë sipas gradave që u ka dhënë janë “rrugeçërit” e tij.
Çështje regjistri gjuhësor!
Ndërsa për njerëzit e thjeshtë, ata janë troç banda e banditë. Rama vetë është “rrugaçi politik” i bandave.


