Kur në Shqipëri po flitet gjithnjë e më shumë për të arrestuar kriminelët, duket se një vendimi i gjykatës së Apelit të ditës së sotme, i ka zbehur pritshmëritë e publikut.
Bëhet fjalë për vendimin për lirimin nga burgu të Durim Keçit, i cili u arrestua 3 muaj më parë me bujë nga Policia e Shtetit.
Ai u vu në pranga pasi rezultonte person në kërkim në Itali, ku ishte dënuar me 9 vite burg nga Gjykata e Genovës në vitin 2014.
Keci njihej për lidhjet e tij të afërta me eksponentë të partisë socialiste, ku për këtë gjë nuk kanë munguar edhe akuzuat e PD-së lidhur me angazhimin e tij me këtë parti.
Po ashtu, Keçi njihej ndryshe edhe si i ‘forti’ i Shijakut, dhe arrestimi u bë me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë i vënë nën akuzë për “Dhunë, kërcënim”, ” Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike“, ” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe” Shfrytëzim prostitucioni”.
- Njoftimi i policisë në 11 tetor për arrestimin
Specialistët për Krimet e Rënda dhe Krimit të Organizuar në D.V.P. Durrës arrestojnë shtetasin Durim Keçi, i dënuar me 9 vjet e 7 muaj burg. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës së tyre për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, kanë bërë të mundur arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit: Durim Keçi 42 vjeç, lindur në Shijak dhe banues në Durrës.
Keçi ëshë dënuar nga Gjykata e Genovës/ Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale” Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, ” Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike “,” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe” Shfrytëzim prostitucioni” parashikuar në nenet 338, 81, 342, 635/2 , 110, 73 dhe 416 të Kodit Penal Italian.


