Do të jetë një fundjavë e rëndësishme kjo e kësaj jave, për anëtarët e njërit prej forumeve kryesore drejtuese të Partisë Socialiste.
Në orën 10.00 të së shtunës, më 28 prill, do të mblidhet në kryeqytet, Asambleja Kombëtare e socialistëve.
Vendimi është njoftuar fillimisht pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së PS, që vendosi në fund të këtij muaji ta mbledhë forumin ku pritet që ministrat socialiastë dhe Kryetarët e Bashkive të PS të bëjnë një pasqyrë të punës së tyre në kuadër të programit të “bashkëqeverisjes me qytetarët”.
Më pas do të ketë një tur takimesh nëpër Shqipëri në formën e llogaridhënies dhe bashkëbisedimit me qytetarët për punën e deritanishme të qeverisë në këtë periudhë të vitit të parë të mandatit të saj të dytë.
Kjo mbledhje do të zhvillohet menjëherë pas kthimit të Kryetarit të PS e Kryeministrit Edi Rama nga takimi i tij me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku ka nisur turi i takimeve lobuese për ratifikimin nga vendet anëtare të rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Rama pritet që të informojë anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS për ecurinë e qeverisjes dhe procesit të integrimit.
Në këtë mbledhje pritet të meren edhe disa vendime të karakterit organizativ të jetës së brendshme të PS.
Takimi do të mbahet në ambjentet e Hotel Tirana International në qendër të kryeqytetit.
Përgatiti: Alpenews.al


