Shkodër– Policia e Shkodrës ka asgjësuar 40 621 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si kanabis në kuadër të operacionit të gjerë antidrogë të koduar “Koordinata”, që vijon prej disa javësh në zonat më problematike të qarkut.
Në kuadër të hetimeve, 10 zyrtarë lokalë do të hetohen në gjendje të lirë për shpërdorim detyre mes tyre 8 kryepleq dhe 2 roje mjedisi.
Ata dyshohen se kanë lejuar kultivimin e kanabisit në zonat që administrojnë, ndërkohë vijon puna për kapjen dhe identifikimin e kultivuesve.
Njoftimi i policisë:
Në territorin e njësive administrative Shalë, Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 15 790 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”:
D. V., kryetar i fshatit Pecaj
R. M., kryetar i fshatit Ura e Shtrenjtë
N. V., kryetar i fshatit Ndrejaj
L. M., kryetar i fshatit Nicaj
Gj. K., kryetar i fshatit Mollë
L. A., roje mjedisi pranë zonave të mbrojtura
Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Shkrel, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe asgjësuan 22 422 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Për këto raste u proceduan për shpërdorim detyre:
P. I., kryetar i fshatit Bzhetë
Gj. M., kryetar i fshatit Ducaj
M. Ç., roje pyjesh
M. B., kryetar i fshatit Lohë e Sipërme
Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës asgjësuan 2 409 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të paligjshëm.