Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të martën se çdo ndërhyrje e huaj në zgjedhjet amerikane është “e papranueshme” dhe paralajmëroi Rusinë dhe të tjerët se administrata Trump do të mbrojë integritetin e votës.
Në bisedimet e tij të gjera me homologun rus Sergej Lavrov që përfshinin edhe mosmarrëveshjet për kontrollin e armëve, Ukrainën, Sirinë dhe Venezuelën, zoti Pompeo tha në një konferencë të përbashkët shtypi në Departamentin e Shtetit se administrata do t’i kundërvihet ndërhyrjes në zgjedhje, si në ato të kaluara ashtu edhe në të ardhmen.
Para takimit me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ministri Lavrov përsëriti mohimet ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai tha se përfundimi i arritur nga bashkësia amerikane e inteligjencës se Rusia ndërhyri në favor të zotit Trump është “e pabazë”.
Nga ana e tij zoti Pompeo u shpreh: “Unë kam qenë i qartë: Ishte e papranueshme, dhe në fakt i bëra të qarta pritshmëritë tona për Rusinë.” “Administrata Trump, tha ai, gjithmonë do të punojë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve tona. Pikë. Nëse Rusia ose ndonjë aktor i huaj ndërmarrin hapa për të minuar proceset tona demokratike, ne do të ndërmarrim veprime si kundërpërgjigje.”
Ministri i jashtëm rus, Lavrov ironizoi “valën e dyshimeve që ka përmbytur Uashingtonin” në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje, duke kërkuar përsëri që Moskës t’i dorëzohen provat e një veprimtarie të tillë nëse ekzistojnë.
“Të gjitha spekulimet në lidhje me ndërhyrjen tonë të pretenduar në proceset e brendshme të Shteteve të Bashkuara janë të pabaza,” tha zoti Lavrov. “Askush nuk na e ka dhënë këtë dëshmi sepse ajo thjesht nuk ekziston,” tha ai. Ministri hodhi një propozim të përsëritur të Rusisë për publikimin e komunikimeve konfidenciale me SHBA, për të zgjidhur shqetësimet për zgjedhjet e 2016-s që ai tha se administrata Obama nuk e pranoi.
Sekretari Pompeo nuk u shfaq i impresionuar nga oferta e zotit Lavrov dhe tha se SHBA tashmë i kanë bërë publike konkluzionet e tyre.
Vizita e zotit Lavrov në Uashington, e para që nga maji 2017, u sfumua për shkak të shpalljes nga komisioni i ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve të akuzave që synojnë shkarkimin e presidentit.
Lavrov dhe Pompeo vunë në dukje bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe anti-narkotikëve që ka vazhduar megjithë tensionet dhe shprehën shpresë se synimet e përbashkëta për Korenë e Veriut dhe Iranin mund të realizohen.
Por, ata pranuan gjithashtu se mosmarrëveshjet janë të mëdha dhe përfshijnë traktatin e ri për kontrollin e armëve që skadon vitin e ardhshëm dhe dëbimin reciprok të diplomatëve nga të dyja vendet.