Pushuesit në plazhin e Velipojës përjetuan një surprizë të bukur pasi përveç bukurive që ofron bregdeti ata shijuan dhe panairin e artizanëve dhe prodhuesve të traditës të qarkut Shkodër.
Panairin e vizituan ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi , ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ku nuk munguan dhe të rinjtë e Smile Albania. Kjo ishte një ngjarje shumë e bukur për turistët që pushojnë në këtë plazh. Panairi gjithashtu vlen që tradita e zonës të promovohet po aq sa edhe bukuritë natyrore të saj.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë vizitës së tij në panirin e Velipojës tha se ,”shikojmë me kënaqësi që për turistët e huaj kjo është një surprizë.Do të vazhdojmë me këto aktivitete gjatë gjithë zonës turistike të Shkodrës.Kemi festën e krapit në Shirokë ,më pas vazhdojmë me panairin e kulinarisë i cili do të zhvillohet në shëtitoren e qytetit të Shkodrës”.
Gjithashtu, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se ”kjo është një thirrje e veçantë për vëllezërit dhe motrat që vijnë nga Kosova,pasi për ta mikpritja këtu në Velipojë është gjithmonë speciale.Prandaj i bëj thirrje të vijnë sa më shumë në Velipojë të kalojnë pushimet me ne”.
Festat lokale dhe aktivitetet promovuese do të vijojnë në mbarë vendin deri në fund të sezonit turistik, për të nxitur turizmin alternativ, punësimin e komunitetit dhe për të shtuar buzëqeshjet e turistëve që vizitojnë Shqipërinë.


