Dy fabrika të mëdha që sillnin në Shqipëri veshje të kontrabanduara dhe i shisnin në treg sikur të ishin veshje origjinale të markave të njohura ndërkombëtare, janë zbuluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar. Koka e grupit që koordinonte këtë skemë është një turk, Ozkan Sulun, i cili është shpallur në kërkim. Ai ishte në krye të gjithë kësaj skeme, ku sillte veshje kontrandanë kryesisht nga Turqia dhe në vendin tonë.
Të gjitha veshjet, magazinoheshin në dy fabrikat gjigande të vendosura në rrugën e Arbrit, ku më pas iu stampoheshin logo të markave të famshme. Në pamje dallohet i gjithë ambienti i fabrikave dhe pajisjet me të cilat veshjeve iu stampoheshin, logo të markave si Hugo Boss, Calvin Clain, Air Jordan, Tommy Hilfiger, ndër më luksozet dhe më të kërkuarat në treg.
Në pranga kanë rënë katër persona mes tyre Luan Haka, Ali Bushati, Xhuljo Lecaj, administratorë të fabrikave, dhe Arjan Hida qiradhënësi i pronave. Në kërkim janë shpallur 2 persona mes tyre administratori i një prej fabrikave, Lindion Haka (djali i Luan Hakës), dhe turku Ozkan Sulun, i cili koordinonte grupin. Ndërsa në gjendje të lirë do të hetohen 4 punonjës.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni i koduar “Fake Star 5” u finalizua pas grumbullimit të informacioneve në terren mbi veprimtarinë kriminale që zhvillohej në fshatin Brrar, në Rrugën e Arbërit. Në dy magazinat e përfshira, veshjet e kontrabanduara ruheshin dhe më pas iu vendoseshin logo të rreme të markave të njohura ndërkombëtare.
Dy fabrikat ishin të pajisura me linja të plota makinerish për qepje, printim dhe stampim. Në përfundim të operacionit janë sekuestruar sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni policor i koduar “Fake Star 5”. Zbulohen në Rrugën e Arbërit, 2 magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.
Arrestohen 4 shtetas të implikuar në këto veprimtari kriminale. Shpallen në kërkim 2, njëri prej tyre shtetas turk. Procedohen në gjendje të lirë 4 punonjës.
Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.
Gjatë operacionit:
-u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave;
-u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër;
-u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave;
-u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.
Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.


