Një autobus i linjës Vorë-Tiranë ka përplasur një të ri në kryeqytet, i cili po kalonte me biçikletë në vijat e bardha, në rrethana të paqarta, duke e lënë atë të plagosur rëndë, madje mbeti i shtrirë për 30 minuta në rrugë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes denoncuara nga dy vajza tregonin sesi njerëz të shumtë e kureshtarë janë mbledhur, ndërsa makinat vazhdojnë qarkullimin normalisht.
Aksidenti ndodhi përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, kur i riu rreth 25-vjeç është përplasur nga autobusi. Dëshmitarët nga vendngjarja thanë se mjeti me targa “AA 829 YG” ka shkelur semaforin e kuq, ndërsa përplasja ka qenë aq e fortë sa e ka hedhur djalin e ri në ajër.
Ndërkohë policia me të mbërritur në vendin e ngjarjes, ka pritur ambulancën, por nuk ka ndaluar qarkullimin. I riu i aksidentuar ka qëndruar në rrugë, ku shihet edhe njolla gjaku, i shtrirë deri sa erdhi ambulanca. Po hetohet mbi përgjegjësitë e secilit në këtë ngjarje të rëndë.



