Pamje nga fshati Qesarakë ku policia ka rrethuar zonën, pasi 62-vjeçari Ramiz Muçollari u izolua në banesë dhe hapi zjarr ndaj tyre.
Efektivët shkuan në shtëpinë e 62-vjeçarit pasi ky i fundit plagosi bashkëshorten, 58-vjeçaren Pëllumbesha Muçollari me mjet prerës në këmbë, ndërsa goditi me mjet të fortë në kokë të birin, 27 vjeçarin Kamber Muçollari.
Në vendngjarje ndodhet Forcat Speciale “Renea”, por pavarësisht tentativa për të negociuar me Ramiz Muçollarin që të dorëzohet ai nuk ka pranuar dhe vijon të qëllojë në drejtim të forcave të Policisë.
Nënë e bir ndodhen në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë, janë njoftuar se në fshatin Qesarakë, Maliq, shtetasi R. M., 62 vjeç, kishte dëmtuar me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij P. M., 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij K. M., 27 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve.


