Petrit Vasili ka ironizuar një projekt të nisur gjatë qeverisjes “Rama 1”.
Kreu i grupit parlamentar të LSI ka kundërshtuar kryeministrin e vendit në lidhje me Check-up.
Sipas Vasilit, pjesa më qesharake është momenti kur Rama përpiqet të shpjegojë se si funksionon ky proces.
“Kaq keq ja kane zene koken keta te check up-it ketij Edi Rames,prandaj ky nuk kursehet fare qe te gajasë dynjane.Kur spjegon ky check up-in eshte tamam si Gani Gurguri qe parashikonte motin pas 20 vjetesh.
Pune te mbare xherahu Edi Rama,por check up-i eshte para’ e hedhur poshte dhe s’ka tellall qe e shet dot te kunderten”, shkruan Vasili në rrjetet sociale.
Po çfarë thoshte kreu i grupit Parlamentar të LSI, në vitin 2015, kur qeveria e tanishme ishte në koalicion me partinë e tij?
Fjala e Deputetit dhe Kreut të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili
“Unë ndaj kënaqësinë reciproke me ministrin që jo thjesht dhe vetëm të promovojmë Check-up apo kontrollin parandalues, por kthejmë përfundimisht vëmendjen dhe fokusin e shëndetësisë shqiptare drejt Kujdesit Parësor, i cili është thelbi i sistemit, filtri themelor i shumicës së popullatës dhe në këtë mënyrë mjekësia është më e fortë, më e shëndetshme dhe ka mundësi konkrete që të gjithë qytetarëve t’u ofrojë jo vetëm akses por edhe shërbim dhe sigurisht sëmundshmëria të kontrollohet mirë dhe në kohë.
Edhe interesimi edhe infrastruktura edhe profesionalizmi i mjekëve e bënë tërësisht të mundur dhe e bën një sfidë të fituar këtë sfidë të madhe dhe zhvillimi i saj në të gjithë territorin do të thotë që çdo shqiptar ka të drejtë të kontrollohet dhe të dijë se ç’ndodh me shëndetin e tij, pavarësisht se ku ndodhet ai, në Tiranë apo në pjesët më ekstreme të Shqipërisë”.