Paketa e re fiskale sjell ndryshimin e taksimit për rrogat mbi 130 mijë lekë, ku Ministria e Financave me ndryshimet parashikon që 23 për qind tatimi të paguhet për rrogat mbi 150 mijë lekë. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera, në një intervistë dhënë gazetës “Panorama” u shpreh se nga ky ndryshim do të përfitojnë rreth 15 mijë të punësuar, ndërsa përfitimi nga ulja e tatimit do të jetë 24 mijë lekë në vit apo 2 mijë lekë në muaj. Kreu i Politikave Fiskale u shpreh se paketa fiskale ul tatimin mbi dividendin nga 15 për qind në 8 për qind. Nga ky ndryshim, të ardhurat do të rriten 4 miliardë lekë. Në total, sipas llogaritjes së Ministrisë së Financave, Lera tha se efekti në të ardhura nga ndryshimet fiskale do të jetë 3,5 miliardë lekë.
Ministria e Financave sapo përfundoi draftin e paketës fiskale, ku konsistojnë ndryshimet fiskale për vitin e ardhshëm?
Paketa fiskale që do të prezantohet si pjesë integrale e buxhetit të vitit 2019 është vijim i paketës fiskale, e cila u miratua në muajin korrik të vitit 2018. Së bashku me të përbën një paketë që ofron lehtësi për biznesin apo lloje të veçanta tatimesh. Konkretisht, me paketën fiskale të vitit 2019 do ulim tatimin e normën e dividendit nga 15 për qind në 8 për qind. Ju do thoni si ka mundësi që norma të ulet dhe të ardhurat do të rriten? Duhet të marrim në konsideratë situatën ekzistuese, ku nga 20 mijë kompani që operojnë në Shqipëri dhe janë subjekt i tatimfitimit dhe taksës mbi dividendin, vetëm 11 për qind e tyre kanë deklaruar taksën e dividendit. Ju do thoni pse ndodh kjo? Një nga arsyet është se edhe barra relativisht e lartë e detyrimit që paguan një investitor, sepse tatimi mbi fitimin plus dividendin shkon diku 21 deri në 22 për qind, ka bërë që investitorët, pronarët të gjejnë rrugë të tërthorta, pra duke mostaksuar të ardhurën. Ne po ulim normën e tatimit mbi dividendin për të zgjeruar bazën dhe të kemi më shumë investitorë kapitalë, që tërheqin fitimet e tyre nga veprimtaria ekonomike. Presim të gjenerohen rreth 4 miliardë lekë në buxhetin e shtetit si rezultat i reduktimit të normës së dividendit.
Cilat janë ndryshimet në tatimin e rrogave të larta dhe pse vijnë tani këto ndryshime fiskale?
Gjithashtu kemi bërë një rregullim të kufirit të pagës, e cila taksohet me 23 për qind, duke e rritur atë nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë. Nga kjo masë përfitojnë 15 mijë punonjës së sektorit privat dhe publik. Përfitimi që ata kanë është 24 mijë lekë në vit apo 2 mijë lekë në muaj. Po ashtu, kemi parashikuar një dispozitë, e cila synon mbrojtjen e bazës së taksueshme në Shqipëri lidhur me transaksionet që kryhen nga jorezidentët apo asete që ndodhen në Shqipëri. Pra, të themi nëse një kompani që ndodhet në Shqipëri dhe zotërohet nga aksionerë të huaj, këta të fundit vendosin që të shesin aksionet tek një investitor tjetër i huaj, pra të dy jorezidentë në Shqipëri, do të duhet që fitimi kapital që realizojnë nga këto transaksione të taksohet në Shqipëri. Kjo është një dispozitë, e cila zbatohet edhe në vende të tjera, në mënyrë që të mbrohet baza e taksaueshme në vendin ku ndodhet investimi.
Çfarë ndryshimesh parashikon ligji për procedurat tatimore?
Në procedurat tatimore kemi parashikuar disa nene që ruajnë bazën e tatimit. Kemi vendosur një dispozitë të përgjithshme ligjore antishmangie dhe kjo nënkupton që një tatimpagues, një transaksion, i cili për të shfrytëzuar boshllëqet ligjore dhe për të shmangur taksat ka një formë që nuk reflekton përmbajtjen e tij. Në këto raste, administrata tatimore ka të drejtë që transaksionin ta trajtojë në përputhje me thelbin e tij dhe në përputhje me këtë të llogarisë dhe detyrimet. Për shembull, ju jeni një kompani që operoni në fushën e tregtimit me pakicë të artikujve ushqimorë, në fushën e bar-bufesë, në fushën e restorantit dhe të shërbimeve. Deklaroni të ardhurat e të gjithë llojit të biznesit në një deklaratë tatimore, që dorëzohet në administratë. Ndërsa një person fizik duhet të bëjë siç bëni ju, që të jemi në kushte njëjta konkurrence, duke regjistruar 3 ose 4 biznese, një bar-bufe me xhiro 5 milionë lekë me zero taksë, një minimarket me xhiro 5 milionë lekë me zero taksë, një lokal shërbimesh me xhiro 5 milionë lekë me zero taksë. Në këtë mënyrë, dikush paguan zero taksë, ndërsa një tjetër 15 për qind. Atëherë, çfarë do të bëjë administrata tatimore? Do të analizojë situatën dhe të thotë që ti je i njëjti subjekt, nuk je tre subjekte, do të bashkosh deklaratën dhe ajo që do të paguash është si rezultat i shumës i të gjithë të ardhurave minus shpenzimet që ti realizon në të gjitha bizneset. Gjithashtu, kemi bërë edhe disa përmirësime në lidhje me biznesin e vogël, ku siç e thashë, mund të regjistrohet me shumë NIPTE duke shpërndarë veprimtarinë, por me ligj do të konsiderohet si një subjekt i vetëm.
Po në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, çfarë ndryshimesh janë parashikuar nga Ministria e Financave?
Kemi parashikuar përjashtimin nga TVSH-ja në importin e makinerive nga çdo subjekt. Aktualisht, përjashtohen vetëm fermerët individualë, të cilët kanë kosto për të blerë me pakicë një traktor dhe shkon më e lartë se ajo e blerjes brenda vendit. Pra, do të përjashtojmë edhe tregtarët, të cilët importojnë makineri bujqësore dhe i shesin ato me destinacion fermerët e vendit. Po ashtu, kemi parashikuar një normë të reduktuar në 10 për qind për importin e autobusëve elektrike, sepse duam të stimulojmë përdorimin e këtyre mjeteve që do të zëvendësojnë mjetet që konsumojnë karburant. Gjithashtu kemi parashikuar kalimin nga furnizimi i përjashtuar në furnizim me normë 6 për qind të TVSH-së për televizionet lidhur me reklamat që ata faturojnë. Pse ndërmerret një masë e tillë? Ndërmerret sepse televizionet paguajnë TVSH në blerjen e mallrave apo materialeve që u shërbejnë reklamave, por duke pasur një furnizim të përjashtuar nuk kishin të drejtën e kreditimit. Duke e vendosur furnizim të përjashtuar me normë 6 për qind, atëherë kanë të drejtën edhe të kreditojnë TVSH në blerje. Pse u bë kjo për televizionet? Ju e dini që ne kemi qenë në një proces investimi lidhur me dixhitalizimin, shpenzimet e bëra nga TV, përfshirë edhe TV shtetërore apo dhe private, kanë qenë të mëdha dhe në një kuptim afrohet një lehtësi për kostot.
Po ndryshimet në ligjin e akcizës, çfarë do të përfshijnë?
Kemi bërë ndryshime në ligjin e akcizave. Kemi vendosur akcizë 2 lekë për kg për zhavorret bituminoze, të cilat vendosen si lëndë djegëse alternative në furrnaltat në furrat e çimentos dhe fabrikat e prodhimit të tullave, duke e vënë në kushte të njëjta me të njëjtin produkt që prodhohet nga përpunimi i naftës. Kemi hequr akcizën për disa elementë si bateri, pila, fishekzjarrë, sepse të ardhurat e buxhetit të shtetit janë në nivele të papërfillshme dhe shpesh janë bërë objekt i kontrabandës. Gjithashtu, kemi bërë disa ndryshime në akcizën e duhanit të grirë, të zëvendësuesve të duhanit. Për duhanin akciza ka ndryshuar nga 4 mijë lekë/kg në 6 mijë lekë/kg.
A janë llogaritur efektet financiare të paketës fiskale?
Ne kemi llogaritur në total të përfitojmë 3,5 miliardë lekë të ardhura nga këto masa fiskale. Natyrisht që ka zëra që do të japin të ardhura, ka dhe zëra të tjerë që do të reduktojnë të ardhurat. Për shembull, rritja e pragut për efekt të tatimit 23 për qind do të ketë një efekt negativ prej 320 milionë lekësh në buxhetin e shtetit. Ndërkohë që ulja e tatimit mbi dividendin, ne mendojmë që do të ketë pasoja pozitive sepse dividendin nuk do ta deklarojnë 10 për qind e 20 mijë tatimpaguesve, por nga llogaritjet tona na rezulton se do të kemi një numër të shtuar të tatimpaguesve