Kreu i PD-së, Lulzim Basha reagon për paketën e Rezistëncës Sociale prezantuar nga qeveria. “Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim”, shprehet Basha.
Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shkruan se PD i ka propozuar me kohë qeverisë të marra masat, por sipas tij, Rama nuk po ndjek as shembujt e shteteve fqinje sicc është Maqedonia Veriut.
Statusi i plotë
Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.
Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.
Zgjidhje ka. Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.
Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 për qind. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 për qind.
Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta lëndojnë edhe më shumë gjendjen. Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë.


