Relatori i paketës ‘anti-shpifje’ që për herë të parë pritet të rregullojë me ligj median online, Musa Ulqini, tha i ftuar në Report Tv, se në mbrëmje në komisionet parlamentare janë bërë ndryshime në draft që reflektojnë shqetësimet e gazetarëve por edhe të organizatave ndërkombëtare.
Ulqini tha se asnjë portal nuk do të mbyllet pa një vendim gjykate.
“Ne ja garantojmë qytetarit, edhe portalit, të drejtën që e fundit për të gjitha cështjet të jetë gjykata. as Këshilli i Ankesave, as AMA, por gjykata. Ne e kemi garantuar këtë të drejtë. Zonja në fjalë nuk e ka lexuar cfarë kemi bërë ne mbrëmë, sepse akoma nuk ka dalë drafti i rregulluar. Ky shqetësim është reflektuar në mënyrë të qartë. Unë flas me përgjegjshmëri se jam relator i çështjes. Shqetësimi i parë ishte që gjykata nuk është e pranishme dhe vendimet e bordit të AMA-s dhe Këshillit të Ankesave nuk shkonin në gjykatë. Ky shqetësim është forcuar dhe reflektuar në projekt”, tha Ulqini, duke pasur një reagim edhe për deklaratën e komisioneres së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut që sot i bëri thirrje parlamentit të tërheqë draftin dhe të bëjë ndryshimet pasi në versionin e tanishëm cënon lirinë e të shprehurit.
“Ne nuk mund të kishim drafte të ndryshëm. Të gjithë faktorët i kemi ftuar në diskutimet tona në parlament. Të gjithë kanë rënë dakord që violinë e parë të jetë OSBE”, tha Ulqini.
Sa i përket vendosjes së gjobave ndaj portaleve në rast të shkeljeve, Musa Ulqini tha se vlera maksimale është ulur nga 10 milionë lekë të vjetra që ishte në draftin e pandryshuar, në 4 milionë lekë të vjetra, maksimumi.
“Shqetësimi për gjobat e larta është i drejtë. Komisioni me propozim të Ikonomit dhe timin, në respekt të parimit të proporcionalitetin për portalet, nuk mund të gjykohet një portal me 5 veta si një televizion kombëtar. Kur flitet për gjobat propozuam që gjobat për portalet të mos jenë të njëjta si për radiot dhe televizionet, nga 10 milionë të vjetra, u zbrit në 4 milionë të vjetra, nis nga 100 mijë deri në 4 milionë lekë maksimumi. Ligji nuk bëhet për të bllokuar, por për të rregulluar. Reklamat që thithin portalet me televizionet, radiot nuk është i njëjtë. Sipas pronarëve të portaleve nuk duhet të ketë fare gjoba, por ne nuk bëjmë një ligj në favor t ënjë grupi, por në favor të së drejtës”, tha Ulqini.
Pa një vendim gjykate, tha Ulqini – portali nuk do të mbyllet në asnjë rast. Të vetmet pika që flasin për detyrimin e portalit për të fshirë lajmin (dhe jo për tu mbyllur) janë kur publikohen shkrime që përhapin pornografinë tek fëmijët, terrorizmin dhe cënojnë sigurinë kombëtare.
“Në projekt ka qenë e përcaktuar vetëm për tre çështje, që po lexohen, që të bllokojnë internetin, nga 3 milionë çështje. Ne nuk jemi Koreja e Veriut, as Kina, as Venezuela…heqjen e përmbajtjes jo më vonë se 60 minuta, kur dyshohet se nxit, pornografi, terrorizëm dhe sigurinë kombëtare. I heq shkrimin dhe nuk mbyllet portali”, u shpreh Musa Ulqini përballë gazetares Aida Tançica.