Miratimi i Paktës “Antishpifje” u prit me një zhurmë të pazakonte, për shkak se flamurin e debatit rreth saj, e morën në dorë vetë portalet dhe rrjetet sociale. Duke qenë se rregullimet ligjore synojnë të vendosin rregulla loje në publikimet elektronike online, lojtarët e saj kryesorë, tentuan që ti vinin zjarrin debatit publik.
Shpejt u kuptua se refuzimi për tu bërë pjesë e një tregu profesional, ishte rezistenca e atyre që kërkojnë të mbijetojnë në industrinë e informimit, argëtimit dhe edukimit të opinionit publik, nëpërmjet gjobave ndaj biznesit, nëpërmjet fake news-eve për interes të lojës politike të ditës dhe shantazheve mbi të dobëtit e të pambrojturit.
Por ky nuk është rasti i parë, që reformat e ndërmara pas 2013, janë pritur në këtë mënyrë. Shumë reforma kanë krijuar zhurmë fillimisht. Vetëm më pas u vërtetua sesa të drejtë kishte mazhoranca që i ndërmori ato.
Reforma e parë ishte ajo kundër të gjithë atyre që nuk paguanin prej rreth 20 vitesh, faturat e energjisë elektrike që konsumonin. Ishin gati 50% e popullsisë në zonat informale kryesisht, militantët e partive dhe bizneset abuzuese, ato që mbijetonin në kurriz të gjysmës tjetër të popullisisë që paguante për ta.
Reforma e ujit, ishte e ngjashme me reformën në fushën e energjisë, ku u zbulua se konsumatorët më të mëdhenj ishin edhe debitorët kryesorë. Nga përdoruesit industrialë, tek lavazhet e agroturizmi dhe qytetarët që nuk paguanin as dritat, e për rrjedhojë as edhe faturën e ujit të pijshëm.
Mbyllja e lojrave të fatit, ishte një tjetër masë drastike e ndërmarrë nga qeveria Rama, që krijoi reaksion negativ mbi organizatorët e tyre në treg. Në masën e popullsisë, kjo reformë u prit shumë mirë, për shkak se kishte krijuar plagë të thella sociale në familjet shqiptare. Por ato pak duar që e kontrollonin këtë industri, ishin shumë të fuqishëm financiarisht dhe paguan portalet për ta sulmuar aksionin.
Reforma në arsimin e lartë krijoi gjithashtu shumë debate, për shkak se një pjesë e universiteteve private, ishin shndërruar në fabrika të prodhimit të letrave pa vlerë. Diplomat u jepeshin kërkuesve të tyre, kundrejt pagesave. Ato nuk konvertoheshin në dije gjatë viteve të presupozuara të shkollimit. Shumë militantë partish u punësuan në administratë dhe nisën të bënin karrierë politike, si drejtorë e deri mbi 30 deputetë në Parlament, u tha se ishin pajisur me diploma të tilla pa vlerë.
Reforma e kontrollit mbi territorin për të mos lejuar më ndërtimet pa leje, shembja e tyre në bregdet, tek Unaza e Tiranës, nëpër rrugët nacionale dhe kudo tjetër ku u realizuan projektet e reja të zhvillimit urban të vendit, gjithashtu krijuan shumë rezistencë dhe debate. Sikundër edhe disa hapa të tjerë si vendosja e pagesës në rrugën e Kombit, projekti i ri i Sheshit Skënderbej, ngritja e Arenës Kombëtare të Futbollit në Tiranë, etj.
Kryereforma që ka krijuar edhe kryerezitencën kundër saj, sigurisht është ajo e drejtësisë. Për bllokimin dhe zhbërjen e saj u dogj salla e Kuvendit dhe mandatet e deputetëve të opozitës. U hodh molotov mbi kryeministrinë dhe institucionet e tjera qëndrore. U çdekretuan zgjedhjet e 30 qershorit nga presidenti. U bojkotua procesi nga partitë e opozitës së bashkuar dhe u bë rezistencë për të mos lejuar, 61 kryetarët e rinj të bashkive, që të nisnin normalisht mandatin për ti shpërbyer qytetarëve.
Historia e demokracisë ka treguar se sa më të mëdha e të thella reformat, aq më e madhe rezistenca ndaj tyre. E nga ana tjetër, aq më e suksesshme ajo mazhorancë që i ka ndërmarrë, për shkak se aq edhe më e madhe ka qenë më pas, ritmi i zhvillimit të vendit. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as zhurma dhe as rezistenca e bërë, për miratimin e Paketës “Antishpifje”.
Alpenews.al