Nisma e fundit ligjore e qeverisë për disiplinimin e informacionit dhe lajmit, ka qenë tema që është diskutuar këtë të hënë në studion e Top Talk. Duhet thënë se nisma dhe ky qëndrim i Kryeministrit pason raportin vjetor të Organizatës Ndërkombëtare “Reporterë pa Kufi” që kishte tone kritike për qasjen e pushtetit ndaj medias, intimidimit të gazetarëve apo dhunës ndaj tyre. Për të trajtuar këtë çështje në Top Talk ka qenë i ftuar Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë Aleksandër Çipa.
Kryeministri Rama shfrytëzoi mbrëmjen e së dielës një takim me përfaqësues të disa agjencive lajmesh nga Europa dhe Ballkani për të paralajmëruar miratimin së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë të të ashtuquajturës “Paketa Antishpifje”.
Rama tha se duhet të marrë fund historia e përhapjes së lajmeve të rreme si epidemi nëpër portale, por foli edhe për regjistrimin e tyre dhe vendosjen e medias online nën regjimin e monitorimit nga Autoriteti i Mediave Audiovizive që aktualisht mbikëqyr nga aspekti ligjor dhe teknik radiot dhe televizionet.
Për kryetarin e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, nisma nuk mund të mbetet vetëm e qeverisë, pasi projekti ka domosdoshmëri gjithë-përfshirjen.
“Gjithë-përfshirjen e grupeve të interesit, aktorëve që janë potentë në fushën mediatike. Me zë dhe që janë me autoritet në fushën profesionale”, u shpreh Aleksandër Çipa.
Më tej ai shton se Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë nuk është ngritjes së një enti rregullator, por këtë nuk mund ta bëjë AMA.
“AMA edhe në akronimin e vet nuk përfshin një sektor tjetër siç janë mediat e reja. Për këtë Grupet e interesit, shoqatat e gazetarëve dhe në mënyrë të veçantë edhe institucionit e ekspertizës të funksionit që kanë mediat të ishin pjesë e një sipërmarrje rregulluese. Të mos kishim një protagonizëm nga një pushtet që ka konflikt interesi”, tha Çipa.