Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për investimet në turizëm dhe trashëgiminë kulturore në disa qytete shqiptare.
Në fjalën e tij përmes telekonferencës, kryeministri Rama tha se Bashkimi Evropian ka njoftuar për një paketë investimesh tepër ambicioze për Ballkanin Perëndimor, rreth 20 miliard euro. Por që Shqipëria të përthithë para nga kjo paketë, do të duhet ekspertiza e BERZH, u shpreh Rama.
Duket se projektet kryesore që do të hartohen me ekspertizën e BERZH, do të përqëndrohen në turizëm, infrastukturë, energji dhe trashëgiminë kulturore.
Qytete si Shkodra, Korça, Vlora, Fieri dhe Berati do të jenë në qendër të këtyre projekteve.
“Jam shumë i lumtur të pranoj atë çfarë kemi arritur në kuptimin e zhvillimeve tona për të cilat BERZH ka qenë kyç. Tani besoj se mund të jemi mjaft të frymëzuar nga ajo çfarë po ndodh në frontin e BE që ka dalë me një paketë mjaft ambicioze investimesh për të gjithë rajonin. Por ne e dimë mjaft mirë që për të qenë efektivë në marrjen e këtyre parave, na duhet ndihmë nga pikëpamja e ekspertizës, dhe shpresoj shumë që banka juaj e pasur me ekspertizë do të vijojë të na ndihmojë në këtë drejtim.
Shkodra, Vlora, Korça, Fieri dhe Berati, le të fillojmë nga fjalët e bukura te nënshkrimet. Ju them se jeni të mirëpritur sa herë të doni të vini”, deklaroi Rama.
Postimi i Ramës në Facebook:
FIRMOSEN ONLINE ME BANKËN EUROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM MARRËVESHJET E INVESTIMEVE PËR TURIZMIN E TRASHËGIMINË NË SHKODËR, BERAT, FIER DHE GJIROKASTËR
Me Presidentin e BERZH dhe Ambasadorin Soreca, për memorandumin e Mirëkuptimit me BERZH në mbështetje të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe dy Marrëveshjet e Financimit për zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në katër pole strategjike për ekonominë kombëtare.



