Detaje të reja nga ngjarja e rende qe ndodhi ne nje familje ne Peshkopi mesditen e kesaj te enjteje. Qemal Sela, autori i dyshuar i ngjarjes ka qene emigrant në Angli prej shumë vitesh dhe ishte kthyer në Peshkopi pranë familjes mbrëmjen e djeshme.
Familja e tij ka në pronësi një hotel që ndodhet në zonën e llixhave, pranë Peshkopisë. Pas krimit, i riu me armë në dorë ka dalë në derën e hotelit për t’u larguar, por aty rastësisht ka kaluar një automjet i forcave të policisë që ishte drejtuar për në poligonin e qitjes, raporton Panorama. Ata i kanë kërkuar të ndalet dhe i kanë marrë edhe armën me të cilën kreu vrasjen dhe e mbante ne dorë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur të gjitha shenjat që vërtetojnë se Qemal Sela vrau në vend babanë dhe nënën e tij.
Policia nuk jep detaje për shkaqet e kësaj vrasjeje, por ata që e njohin familjen dyshojnë se vrasja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për pronësinë e hotelit privat që administrohej nga babai dhe në të cilin punonte e gjithë familja, vëllai dhe motra e viktimës.
Kjo e fundit ka parë të gjithë ngjarjen dhe është dëshmitarja kryesore. Ajo është dërguar në spital në gjendje shoku psikologjik dhe pritet që të merret më vonë në pyetje.


