Më në fund, Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, ka marrë pjesë në një tubim krah bashkëshortit të saj, presidentit Donald Trump.
Teksa kanë mbetur vetëm pesë ditë përpara zgjedhjeve, Melania këtë të enjte hapi tubimin në Tampa të Floridas për Trump. Madje çifti presidencial ndau edhe një puthje në skenë.
Në fjalën e saj, Melania u shpreh se bashkëshorti i saj dhe ekipi i tij ishin “duke punuar jo vetëm për shkatërrimin e virusit dhe ndërtimin e ekonomisë, por ata janë të përqendruar në krijimin e mënyrave që njerëzit të ndalojnë izolimin dhe të mblidhen me miqtë në një distancë të sigurt”.
Mediat amerikane shkruajnë se në tubim ishin rreth 6,000 njerëz. Ndërkohë ky është tubimi i parë që Zonja e Parë merr pjesë në fushatën e Trumpit për t’u rizgjedhur si president.
“Një votë për presidentin Trump është një votë për një Amerikë më të mirë”, tha Melania.
“Daily Mail” shkruan se mbështetësit e çiftit presidencial ishin aty disa orë para mbërritjes së tyre të planifikuar herët pasdite. Gjithashtu kishte të paktën tre urgjenca mjekësore të njoftuara me altoparlantë, dhe organizatorët vendosën tuba uji për të mbajtur të freskët mbështetësit.
Nga ana tjetër, rastet e koronavirusit në Florida kanë rënë nga kulmi i korrikut me 15,000 raste në ditë. Por të mërkurën ishin 4.115 raste të reja dhe duket se shifrat janë në një trend rritës.













