Mesut Ozil thotë se ai po jep gjithçka për Arsenalin, pavarësisht se është zhytur vazhdimisht në transferimin e spekuluar. Disa media raportuan javën e kaluar se gjermani u kishte thënë shokëve të ekipit se ai do t’i linte “topçinjtë” për armiqtë e tyre, Manchester United, këtë dimër. Me 29-vjeçarin në vitin e fundit të marrëveshjes së tij të tanishme, pronari i Arsenalit, Stan Kroenke, doli gjithashtu për të bërë të qartë se klubi do të donte ta mbante. Ozil, nga ana e tij, ishte i lumtur të merrte mbështetjen e klubit dhe tha se do të jepte më të mirën për Arsenalin, megjithëse nuk ishte i gatshëm të sqaronte asgjë për të ardhmen e tij. “Është shumë mirë të dëgjosh komentet e Kroenke, ai është aksionari kryesor, – tha Ozil për “Sky Sports”. – Unë jam i lumtur këtu dhe e bëj punën time në 100 për qind të mundësive, si gjithmonë. Jap gjithçka në fushë për ekipin. Gjëja më e rëndësishme është futbolli. Dua të jap gjithçka, 100 për qind për këtë klub. Çfarë do të ndodhë? Te të shohim në të ardhmen”.
Ish-lojtari i Real Madridit u kthye në një yll me atë që shfaqi kundër Everton, në fitoren 5-2 të së dielës dhe tani po përqëndrohet vazhdimisht të tregojë cilësinë e tij, pavarësisht se është përdorur jo në rolin e tij të preferuar. “Unë e njoh veten më mirë se kushdo tjetër. Jam dikushi, që do të argëtohet në fushë, – shtoi Ozil. – Gjithkush e di pozicionin tim të preferuar, është ai i “play-maker”, nr.10. Në momentin që trajneri më ngarkon të luaj në të djathtë, është një gjë që duhet të pranoj dhe të tregoj kualitetin tim në atë pozitë. Natyrisht që jam i lumtur të kryej dhe të jap performanca të mira në mënyrë individuale, por është më e rëndësishme që ta bëjmë këtë si ekip. Mendoj se e kemi bërë këtë gjë mirë kundër Evertonit”. Arsenali është i pesti në Premier League, në kuotën e 16 pikëve, sa dhe Chelsea, ndërsa do të përballet me një ndeshje në shtëpi, kundër Swansea City, të shtunën.