Vjosa Osmani menjëherë pasi u zgjodh kryetare e re e parlamentit të Kosovës ka vendosur të heqë foton e presidentit Hashim Thaçi nga kabineti duke e zëvendësuar me atë të presidentit të ndierë Ibrahim Rugova.
Pas këtij veprimi ka ardhur reagimi i parë nga Thaçi, ku përmes një reagimi nga presidenca thuhet se presidenti përfaqëson autoritetin më të lartë të një shteti dhe se fotoja e tij është detyrim ligjor që të vendoset në të gjitha institucionet.
Më tej në reagimin zyrtar të presidencës shkruhet se nëse ka ndodhur një veprim i tillë do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës.
“Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për Protokollin e Shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej të ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit.
Nuk e dimë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.
Heqja e fotos së Thaçit është vënë re gjatë takimit të sotëm që Osmani pati me ambasadorin amerikan Philip Kosnett.



