Në Bari të Italisë, ditën e sotme janë arrestuar 17 persona gjatë një aksioni të drejtuar nga Drejtoria e Rrethit Antimafia lidhur me një sasi prej 700 kg marijuanë të sekuestruar në vitin 2016që vinte nga brigjet shqiptare.
Droga kapte vlerën e 5 mln lekëve. Lidhur me këtë lajm ka reaguar policia e shtetit e cila bën me dije se hetimi ka filluar që në vitin 2016. Sipas policisë, nuk ka asnjë shqiptar në mesin e të arrestuarve dhe se Grupi kriminal ka në përbërje eksponentë të organizatës mafioze ‘Sacra Corona Unita’.
DEKLARATA E POLICISË SË SHTETIT:
Në lidhje me një lajm të publikuar në media për ekzekutimin e disa urdhër arresteve në Itali, sqarojmë se:
Sot më datë 4 tetor 2018, Karabinierët e Barit të drejtuar nga Drejtoria e Rrethit Antimafia (DDA) e Barit kanë ekzekutuar disa urdhër arreste në kuadër të operacionit “Velluto” për shkatërrimin e një grupi kriminal italian që operonte në fushën e trafikimit të narkotikëve në zonën e Pulias.
Hetimi që ka filluar në vitin 2016 ka sjellë në goditjen e dy rasteve të trafikimit me gomone në muajin tetor 2016. Gomonet e nisura nga Pulia me shtetas italianë në bord, dyshohet se ishin ngarkuar në Shqipëri në atë periudhë.
Grupi kriminal me eksponentë edhe të organizatës mafioze “Sacra Corona Unita” përbëhej nga shtetas italianë dhe në urdhër arrestet e sotme nuk ka asnjë shtetas shqiptar të përfshirë.
Policia e Shtetit është në kontakt të pandërprerë me të gjithë partnerët në lidhje me shkëmbimin e informacioneve që kanë të bëjnë me grupe kriminale apo individë, pavarësisht kohës kur ata kanë kryer veprën penale, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe goditjen e tyre


