Antidroga e Tiranës arrestoi dje djalin dhe gruan e biznesmenit Petrit Gazheli, gjatë një operacioni që u zhvillua në zonën e “Brrylit”.
Policia tha se u vu në pranga Gazmend Gazheli, 46 vjeç, i njohur me pseudonimin “Profesori”, i cili po hetohej prej disa ditësh, pasi dyshohej se merrej me shpërndarjen e heroinës dhe kokainës.
I arrestuari është djali i biznesmenit të konfeksioneve, Petrit Gazheli, i cili në vitin 1998 u mor peng nga persona që i kërkonin 2 milionë dollarë.
Gjatë operacionit që u kodua si pseudonimi i 46-vjeçarit, Policia arrestoi edhe bashkëpunëtorin e tij dhe sekuestroi 165 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë dhe disa porcione të llojit kokainë.
Policia tha se u arrestua edhe nëna e Gazment Gazhelit, pasi në momentin kur po kryhej kontroll banese, ajo hodhi nga dritarja dy qese me lëndë narkotike të llojit heroinë.
Burimet thanë se operacioni u finalizua pas një hetimi të nisur prej disa ditësh.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse për identifikimin e grupit të shpërndarjes së heroinës e kokainës, mund të ketë shërbyer si indicie edhe vrasja e Devi Kasmit, mbrëmjen e të hënës në Tiranë.
- OPERACIONI ‘PROFESORI’
Gjatë operacionit të koduar “Profesori”, u arrestuan në flagrancë në afërsi të “Bërrylit”, Gazment Gazheli, 46 vjeç, i dënuar më parë për “Prodhim e shitje të narkotikëve”, Kristian Karanxha, 27 vjeç, dhe V.G, 68 vjeçe, nëna e Gazhelit. Sipas Policisë, Gazmend Gazheli me pseudonimin “Profesori”, në bashkëpunim me shtetasin Kristian Karanxha me pseudonimin “Kiçi”, dyshohet se në zonën e “Bërrylit”, “Ali Demit” dhe Shkozës, merreshin me shitjen e lëndës narkotike të llojit heroinë dhe kokainë.
Në momentin e ndërhyrjes, Policia i ka gjetur Gazhelit një sasi pluhuri të bardhë të dyshuar kokainë. Në këto kushte, është ushtruar kontroll në të dyja banesat e shtetasve të mësipërm.
Gjatë kontrollit në banesën e Gazmend Gazheli u gjet 165 gramë heroinë.
Ndërsa në kohën që po hynte Policia për kontroll në këtë banesë, nëna e tij, shtetasja V.G. është kapur me dy qese me lëndë narkotike të llojit heroinë, të cilat po tentonte t’i hidhte jashtë banesës.
Po gjatë kontrollit në këtë banesë u gjet edhe një sasi tjetër lënde narkotike e llojit heroinë e ndarë në 27 doza.
Ndërsa nga kontrolli i banesës së Kristian Karanxhës është gjetur një qese me 3 porcione kokainë.
/panorama


