Mosdakordësinë për iniciativën ‘Open Balkan’ me Albin Kurtin, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar vetëm politike, por që nuk ndikon në marrëdhëniet mes tyre. Nga Prishtina, Rama tha se themeli i dakordësisë mes tyre është kombëtare e vëllazërore.
“Nuk më cituat siç duhet. Kam pas shumë mesazhe këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht toneve, thelbi ishte po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë. Por tani jam dhe më i bindur që Ballkani Hapur është rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët. Ka një dallim mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Natyrisht që kemi mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, por kjo është mosdakordësi e natyrës politike dh ene duhet ta trajtojmë si të tillë, marrdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre se kemi këtë mosdakordësi. Themeli i dakordësisë sonë është kombëtare, vëllazërore dhe përtej çdo mosdakordësie tjetër politike. Është e pashmangshme dita kur Serbia do ta njohë kërkesën dhe kërkesa e pashmangshme e faljes nga Serbia për krimet e paharrueshme në Kosovë, jo vetëm do vijë por do vendosë edhe kushtet e paqes. Pyetja është çfarë mund të bëjmë ne për ta afruar atë ditë. Por këto arsyetime nuk janë kurrsesi arsye për të vënë në pikëpyetje dashurinë për atdheun dhe vëllazërinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Dashurinë për Shqipërinë nuk e kam ndarë nga dashuria për Kosovën”, tha Rama.