Nga Korça, ku ishte i pranishëm për të bërë një analizë të punës 1-vjeçare të policisë në këtë qark, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me nxjerrjen e banorëve nga banesat nga Policia e Shtetit, një ditë më parë në lagjen e ‘5 Majit’ në Tiranë.
Nano u shpreh se nuk ka pasur ndonjë ankesë për dhunë, ndërsa theksoi se nëse do të ketë, atëherë do të bëhet një hetim mbi rastin dhe do të merren masat përkatëse administrative.
Pyetja: Banorët e lagjes “5 Maji” në Tiranë janë nxjerrë me dhunë nga policia nga banesat e tyre, mes tyre edhe fëmijë, gjithashtu u dhunua edhe një operator, çfarë keni për të thënë?
‘Sot Policia e Shtetit ka qenë në mbështetje të një pune që po zhvillonte Inspektoriati për Mbrojtjen e Territorit në bashkinë e Tiranës. Në dijeninë time deri tani, por edhe nga qëndrimet e institucioneve të tjera nuk ka patur ndonjë ankesë. Por këto që thoni ju do të verifikohen dhe në rast se do të ketë shkelje në procedurat standarde të Policisë së Shtetit atëherë do të merren masat përkatëse administrative’, tha Nano.