Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se pajtohet me presidentin amerikan Donald Trump se organizata terroriste DEASH është mposhtur në Siri, por theksoi se nuk ka parë ende ndonjë sinjal që tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë duke u tërhequr nga Siria, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në konferencën vjetore për media, Putin deklaroi se në Siri janë arritur avancime të rëndësishme kundër terrorizmit.
“Në përgjithësi, pajtohem me komentet e presidentit amerikan Donald Trump se është arritur fitore kundër DEASH-it në Sir, por ekziston një rrezik që këto organizata terroriste tashmë të infiltrohen në Afganistan dhe shtetet përreth. Ekziston po ashtu rrezik, siç është kthimi në vendin e tyre. Kjo përbën rrezik për SHBA-në, Rusinë, Evropën dhe Azinë Qendrore”, tha Putin.
Presidenti rus tha se ende nuk e di se çfarë kuptimi ka deklarata e SHBA-së për t’u tërhequr nga Siria.
“Deri më tani nuk kemi parë sinjal që janë duke u tërhequr nga Siria. Vite më parë deklaruan se do të tërhiqen nga Afganistani, por ata ende janë atje”, shtoi Putin.
Ai tha se ende është duke vazhduar procesi për gjetjen e një zgjidhjeje politike në Siri.
“Prania e SHBA-së në Siri ishte e paligjshme. Ne si Rusi, nër përputhje me vendimin që morëm me Turqinë, Gjermaninë dhe Francën në samitin e Stambollit, jemi duke bërë çdo gjë për formimin e komitetit kushtetues të Sirisë”, vlerësoi Putin.