“Shqipëria ishte përballë vetëm një kushti një vit më parë ndërsa Bundestagu dhe BE vendosën 9 kushte të reja për hapjen e negociatave, dhe zgjidhja e vetme është largimi i Edi Ramës e krijimi i një qeverie teknike që do të angazhohej për plotësimin e tyre dhe hapjen e prespektoivës së vendit për t’u futur në një kapitull të ri të integrimit”.
Kështu shprehet ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka.
Ajo tha gjatë një interviste se pengesa e vetme është Edi Rama, dështimet e të cilit i konsideron përveç të gjithave edhe një kosto për Maqedoninë e Veriut, që sipas saj u pengua për shkak të Shqipërisë.
“Ne nuk jemi të qartë dhe të ndërgjegjshëm të gjithë së bashku që edhe në Këshillin e Europës ka mekanizma të ndryshme dhe dallime mes të thënave ndërinstitucionale. Kemi pasur vetëm një kusht ndërsa aktualisht jemi përballë 9 kushteve në bazë të asaj çfarë miratoi Bundestagu gjerman.
Kemi një “Jo” nga Franca, dhe një “Po” të sforcuar nga Gjermania, ndërkohë “Jo” kemi pasur edhe nga Hollanda dhe Finlanda. Edhe Maqedonia e Veriut u detyrua të merrte në kosto shumë të madhe për shkak të Shqipërisë”, tha ndër të tjera Caka.
Përfaqësuesja e LSI-së tregoi edhe kushtet kryesore që ka opozita e bashkuar për të qenë pjesë e Reformës Zgjedhore, por nuk lë pa akuzuar kryeministrin si përjashtues të opozitës, ndërsa e parlajmëroi se zemërata qytetare do ta çojë në degradim politik dhe personal.
“Një nga pikat që kërkon opozita për bashkëpunim është largimi dhe hetimi i Damian Gjiknurit.
Nga ana tjetër, Edi Ramës i shijon ta bëjë reformën pa opozitën, të jetë në parlament pa opozitën, por nuk e kupton se këto janë shenja të degradimit të tij jo vetëm politik por edhe personal.
Të gjitha këto kanë ngjallur një zemëratë të qytetarëve, të cilët në të ardhmen mund të mos merren më me të vetëm politikisht, por edhe personalisht”, tha Caka.