Programi i festave lokale është duke zbuluar potencialet më të mira që kanë fshatrat në të gjithë Shqipërinë.
Ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Niko Peleshi publikoi sot disa foto për të promovuar festat lokale, që po organizohen në kuadër të programit “100 fshatrat”.
“‘Gatimet e Gjysheve’ në Kosinë të Përmetit, ‘Festa e Rakisë’ në Boboshticë, ‘Ditët Baroke’ në Vuno, janë disa nga festat e kësaj jave”, shprehet Peleshi, duke sjellë edhe pamje të këtyre festimeve.
Janë 21 festa lokale që zhvillohen në 21 prej fshatrave të përzgjedhur në programin “100 fshatrat”, duke synuar rifreskimin dhe zgjimin e potencialeve të fjetura të traditave dhe dokeve tona, promovimin e turizmit kulturor dhe rural, ushqimin dhe mbi të gjitha prodhimet tradicionale.


