Përsëri emigranti nga Laçi, Dorian Puka, kthehet në subjekt të një shkrimi të medias angleze The Daily Telegraph pas një mori shkrimesh gjatë katër viteve të fundit.
Është pikërisht kjo video, ku ai shfaqet duke i dhënë si ushqim tufa me para dy qenve të tij, e cila ka shërbyer si motiv për ta rikthyer atë përsëri në vëmendjen e kësaj gazete britanike.
Charles Humas, editor i çështjeve të brendshme në këtë gazetë, thotë se Dorian Puka, i dënuar dy herë për grabitje shtëpish, tashmë është duke luftuar bllokimin e dëbimit nga Anglia, pasi u dëbua dy herë dhe përsëri hyri ilegalisht në shtetin ishull.“Në këtë video, 29-vjeçari shfaqet i ulur mbi një divan, ku i jep kartëmonedha të prerjes 20 paund qenit pitbull me emrin Cobra.
Ndërsa qenit tjetër me emrin Miu, i afron në gojë për t’i kafshuar kartëmonedha 50-paundëshe”, shkruan The Daily Telegraph në artikullin të cilit i referohet Top Channel.
Puka theksohet në shkrim se po përballet me dëbimin për herë të tretë, pasi qeveria fitoi gjyqin në një tribunal të shkallës së parë për çështjet e emigracionit, me qëllim largimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar, pas refuzimit të kërkesës së tij për azil.
Ministria e Brendshme, Home Office, nuk ka mundur ta largojë për sa kohë që kërkesa e tij për azil dhe sfidat ligjore ndaj vendimeve janë ende në shqyrtim.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se: “Ky individ është një shtetas i huaj i njohur për veprimtari kriminale dhe ne po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Për sa kohë që procedurat ligjore janë ende në zhvillim, nuk mund të japim komente të mëtejshme.”
Ndërkohë, Chris Philp, ministri i Brendshëm në hije nga opozita konservatore, komentoi për The Daily Telegraph se:
“Ky kriminel famëkeq shqiptar ka shfaqur hapur pasurinë e tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke ekspozuar makina sportive dhe tani edhe këtë video të jashtëzakonshme ku u jep qenve të tij para në dorë.
Nuk duhet të lejojmë që kriminelë të huaj si ky të qëndrojnë në vend. Ai duhet të dëbohet menjëherë dhe Shabana Mahmood duhet të sigurojë urgjentisht largimin e tij, në mënyrë që publiku britanik të mos vazhdojë të vuajë pasojat e sjelljes së tij kriminale”, ka deklaruar politikani i Partisë Konservatore angleze.


