Përgjimi i telefonave celularë nuk është vetëm një ngjarje që ndodh në filmat me spiunazh, apo e rezervuar për njerëz që janë të survejuar nga shteti. Sipas vetë burimeve të “Silicon Valley” që është zona në SHBA ku kanë rezidencën qendrat e aplikacioneve më të mëdha celulare të komunikimit si Whatsapp, Viber etj, por edhe gjigantët e internetit si Google apo Facebook, çdo fjalë që ne themi apo shkruajmë regjistrohet në një server gjigant të dhënash.
“Washington Post” si edhe disa media të tjera ndërkombëtare kanë marrë informacione nga ish-punonjës të këtyre kompanive si edhe nga ekspertë të fushës së teknologjisë që ngrenë shqetësimin se privatësia jonë është një fiktivitet që është zhdukur krejtësisht me zhvillimin e teknologjisë dhe masivizimin e saj. Preteksti zyrtar për grumbullimin e këtyre të dhënave është studimi i tregut dhe lehtësimi i shërbimeve. Pra, p.sh nëse Facebook njeh preferencat tuaja, do u ofrojë një shërbim më të personalizuar duke u shfaqur njerëzit dhe faqet që do të pëlqeni. Kompania “Amazon” ka krijuar një aplikacion ku një njeri mund të autorizojë kompaninë që t’i hyjë brenda në banesë për të dorëzuar një pako.
Xbox One, regjistron që të gjitha bisedat që kryhen në dhomën ku është e vendosur edhe kur nuk është aktive. Siri, tek telefonat iPhone është bashkëbiseduesi ynë më pak privat, pasi kompania “Apple” e pranon se çdo bisedë dokumentohet dhe ruhet në serverat e saj në Kaliforni. Pra, çdo konsolë lojërash dhe çdo aplikacion që ne përdorim në telefonin tonë është një farë “spiuni” personal për secilin prej nesh. Në rast se ju keni një iPhone, një punonjës i Apple mund të shohë sekretet tuaja. Ai mund të shohë se çfarë keni parë në internet, më kë keni folur dhe çfarë keni thënë dhe madje mund të analizojë karakterin tuaj në bazë të preferencave për produktet, filmat dhe muzikën.
Burime anonime citojnë se këto përgjime shpeshherë nuk i jepen qeverive të ndryshme që mund të duan t’i studiojnë për arsye sigurie, për shkak se nuk duan që të deklamojnë aplikacionet. Ky lajm është realisht shqetësues, pasi jo vetëm që jemi në përgjim konstant, por të dhënat tona nuk i mban as shteti të cilin e zgjedhim dhe vetë dhe mund t’i kërkojmë llogari, por e zotërojnë individë privatë të cilët nuk i njohim. Këta individë fshihen pas ekraneve të errët të televizioneve dhe celularëve dhe me sisteme shumë miliarda dollarëshe përgjojnë çdo sjellje tonën.
Përmasat e zhdukjes së privatësisë janë të frikshme dhe duket se inovacioni i shpejtë teknologjik vetëm po zhvillon mënyra të reja sesi ne vullnetarisht të dorëzojmë jetën tonë private tek individë privatë interesat dhe qëllimet e të cilëve nuk i njohim.
Megjithatë, sot është bërë domosdoshmëri që të komunikojmë dhe të pajisemi me fjalën e fundit të teknologjisë, qoftë për argëtim qoftë për domosdoshmëri profesionale. Shefi i strategjisë së fushatës së Donald Trump, Steve Bannon ka qenë eksponenti i parë politik që e ka ngritur shqetësimin e zhdukjes së privatësisë dhe ka advokuar për krijimin e ligjeve dhe regulacioneve të posaçme për të rikthyer privatësinë dhe lirinë e amerikanëve.
Analisti politik amerikan Roger Stone, gjithashtu ka bërë fushatë për rregullime të tilla ligjore, si edhe ka parashikuar se me kalimin e kohës më shumë njerëz do të ndërgjegjësohen dhe ligjet mbi teknologjinë dhe privatësinë do të bëhen një prej çështjeve politike më të rëndësishme në vitet që vjen.


