Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer akuzat për opozitën, sipas së cilit në këto ditë të vështira duhet të ishte bashkë me shumicën për të përballuar këtë situatë.
“Ka një opozitë, ajo jashtë parlamentare që për fat të keq edhe njëherë në 100 kur bie një sëmundje mbi tërë botën dhe prek dhe Shqipërinë nuk gjen arsye dhe forcë morale për t’u bashkuar me shumicën dhe për të luajtur një rol konstruktiv, jo duke hequr dorë nga kritikat, jo nga detyra për të nxitur qeverinë në drejtimin e duhur, por mos të bëjë krimin e disinformimin e një realiteti. Është kriminale t’u thuash qytetarëve që spitalet janë në kolaps, mund të ishin, por nuk janë. Kam dëgjuar se bëhen vetëvrasje se bën zhurmë sistemi i oksigjenimit, absurde. Thonë që ka një zhurmë të barabartë me zhurmën e ngritjes së avionëve, kjo zhurmë është e njëjta në të gjithë botë se të njëjta janë apuraturat. Nuk është vetëm këtu që ka të vetëvrarë në spitale, ka pasur edhe në vende të tjera dhe në asnjë vend tjetër nuk është hedhur përpjetë asnjë opozitë për t’ia faturuar këto fatkeqësi qeverisë. Ashtu si kundër, personeli shëndetësor në Belgjikë, edhe pse me COVID u urdhërua që të vazhdojë punën në spitalin COVID për shkak të shterimit të burimeve njerëzore, dhe këtë nuk e them unë, ky lajm u përhap me shpejtësi gjithandej dhe të tilla ka në të gjitha vendet. Nuk ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është një Shqipëri”, tha Rama.


