Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një komunikim të drejtpërdrejtë në Facebook, ku u ndal te reformat në qeverisje, procesi i integrimit europian dhe ndërhyrjet për rregullimin e hapësirave publike.
Rama u shpreh se Shqipëria është vlerësuar bashkë me Italinë, Greqinë dhe Lituaninë për progresin në reformat e qeverisjes, por theksoi se puna nuk mbaron me kaq. Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të kontribuojnë për ta bërë Shqipërinë një vend me standarde europiane, ku hapësira publike të respektohet dhe të mos abuzohet.
Na duhet të jetojmë e të bashkëjetojmë me idenë se të gjithë bashkë duhet t’i japim një cilësi të re vendit tonë si një destinacion turistik dhe si një shtet i së drejtës. Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE-së duke i ndarë mbrapsht punët”, tha Rama.
Duke iu referuar ndërhyrjeve për lirimin e hapësirave publike në Tiranë dhe qytete të tjera, Rama theksoi se nuk bëhet fjalë për një aksion të përkohshëm, por për një filozofi të qeverisjes që synon vendosjen e rregullave dhe respektimin e të drejtës së përbashkët.
“Nuk jemi në Teheran, jemi në Tiranë. Nuk kemi dalë të sulmojmë kafenetë e restorantet, por të vendosim kufirin: trotuari është për qytetarët”, përfundoi Kryeministri.


