‘’Jam fansi më i madh i babit. I kam dëgjuar mbi 1000 herë të gjitha albumet e tij, madje mund të them që i njoh përmendësh të gjitha këngët.
Jam shumë krenar për të dhe këtë e them jo sepse jam djali i tij, por sepse mendoj vërtetë që ai është kompozitori më i madh i gjeneratës së tij.
Ndërsa mami është zëri më i madh i rrymës operistike në Shqipëri dhe njëkohësisht krenaria tjetër më e madhe e jetës time.’’
E ndërsa i dëgjon këto fjalë, nuk mund të mos vësh re emocionet që fshihen në sytë e Anthony Çakos, djalit të artistëve Inva Mulo dhe Pirro Çako.
I ftuar në ‘’Jo vetëm modë’’, Anthony, djali simpatik dhe me shumë tatuazhe, ka zbuluar disa të pathëna nga jeta e tij, marrëdhënia me prindërit, motrën e vogël 5-vjeçare dhe raportin me njerkun, Hetem Ramadani.
Duke u ndalur tek ky i fundit, Anthony nuk nuk nguron të pranojë që raporti i tyre fillimisht ishte ‘’armiqësor’’.
Ai ndihej xheloz dhe e kishte të vështirë të pranonte lidhjen e mamasë me një burrë tjetër që nuk ishte i ati, por me kalimin e viteve ata u miqësuan dhe ka një marrëdhënie shumë të mirë.
Anthony pohon gjithashtu se i pëlqen të bëjë biseda filozofike me njerkun e tij, babanë e Ninës.
Duke u ndalur tek kjo e fundit, artisti i ri simpatik pohon që mezi pret që ajo të rritet dhe që marrëdhënia e tyre është marrëdhënia normale vëllazërore e një 23-vjeçari dhe një 5-vjeçareje.



